Erdoğan: Bombardimi i vendeve të adhurimit është terror, jo xhihad

"Vrasjet e civilëve të pafajshëm, bombardimi i vendeve të adhurimit nuk është xhihad, por është terror dhe brutalitet", tha Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vrasjet e civilëve të pafajshëm dhe bombardimi i vendeve të adhurimit nuk është xhihad, por është terror dhe brutalitet, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan i bëri këto vlerësime gjatë inaugurimit zyrtar të xhamisë më të madhe në Turqi, Çamlıca.

Në ceremoninë e hapjes së xhamisë “Çamlıca” të pranishëm ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Guinesë, Alpha Conde, presidenti i Senegalit, Macky Sall dhe kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, së bashku me disa përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

“Vrasjet e civilëve të pafajshëm, bombardimi i vendeve të adhurimit nuk është xhihad, por është terror dhe brutalitet”, tha ai, duke theksuar se duhet thënë “stop” mentalitetit të egër dhe primitiv që vendet e adhurimit kryen gjakderdhje.

“Sulmet ndaj xhamive dhe kishave janë i të njëjtit burim të errët”, shtoi më tej presidenti turk.

Ai tha se në besimin e tyre e drejta për adhurim është e shenjtë, dhe çdo kush ka të drejtë ta ushtroj lirisht adhurimin e tyre, pa marrë parasysh se çfarë feje është.

Presidenti Erdoğan tha se vendi i tij është i vendosur për ta pastruar rajonin dhe vendin nga organizatat terroriste DEASH, PKK, FETO, Al Kaeda, si dhe gjithashtu do të vazhdojnë luftën e tyre kundër terrorit neo-nazistë që shënjestron muslimanët në Evropë.

“Jemi në një periudhë kritike në të cilën duhet të shprehim edhe më shumë mesazhin e paqes së Islamit”, theksoi ai.

Erdoğan ndër të tjerat tha se Xhamia e Madhe Çamlıca do të ndihmojë edukimin e arkitektëve dhe mjeshtërve “që do ta çojnë përpara trashëgiminë tonë të qytetërimit”.