Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Konsullata Saudite në Stamboll duhet të dëshmojë nëse gazetari i zhdukur Jamal Khashoggi është larguar nga ndërtesa pas hyrjes në të të martën e kaluar, raporton Andolu Agency (AA).
“Është detyra jonë humanitare dhe politike të ndjekim nga afër çështjen”, tha Erdoğan në Budapest gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
“Ka disa njerëz që erdhën nga Arabia Saudite (atë ditë). Prokuroria publike po shqyrton çështjen”, tha ai, duke shtuar se xhirimet nga aeroporti janë duke u analizuar.
Duke folur për versionin saudit të zhvillimeve, Erdoğan deklaroi: “Zyrtarët e Konsullatës Saudite në Stamboll nuk mund të mjaftohen duke thënë se ‘ai u largua nga ndërtesa’. Pretenduesit janë të detyruar t’i argumentojnë pretendimet e tyre. Nëse ai është larguar nga ndërtesa, ju duhet ta dëshmoni këtë gjë”.
Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i The Washington Post, është zhdukur që kur ai hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Policia turke tha të shtunën se 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe hynë në konsullatë teksa Khashoggi ishte brenda.
Prokurorët e Stambollit janë duke e hetuar rastin, ndërsa Konsullata Saudite ka deklaruar në Twitter se është duke punuar në koordinim me autoritetet turke.
Turqia sot tha se pret “bashkëpunim të plotë” nga autoritetet saudite për gjetjen e gazetarit të humbur.
Anëtarësimi i Turqisë në BE
Gjatë konferencës për media, presidenti turk foli edhe për rrugën e Turqisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), duke thënë se integrimi i Turqisë “zvarritet” që nga viti 1963 dhe se asnjë shteti anëtar nuk i është bërë “dëm” i tillë.
“Nëse përgjigja është po, le të jetë po. E nëse është jo, le të jetë jo. Nevojitet sinqeritet. Nëse do të na pranoni, atëherë jepni sinjale, e nëse nuk na pranoni, na tregoni”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.