Erdoğan: Aneksimi i Krimesë, joligjor

Vazhdimi i ekzistencës së bashkatdhetarëve në mëmëdheun historik Krime është ndër prioritetet e Turqisë, thotë Presidenti ErdoğanErdoğan: Aneksimi i Krimesë, joligjor

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën tha se Turqia nuk do ta pranojë aneksimin joligjor të Krimesë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me homologun ukrainas në Ankara, Erdoğan në një konferencë të përbashkët tha: “Vazhdimi i ekzistencës së bashkatdhetarëve tanë në mëmëdheun e tyre historik Krime, mbrojtja e identitetit dhe kulturës së tyre, ruajtja e të drejtave dhe lirive bazike janë prioritete të Turqisë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Rusisë që të veprojë në suaza të ligjeve ndërkombëtare.

Ai theksoi se Krimea i ka takuar Ukrainës dhe tha se shteti i tij dhe Rusia do të gjejnë rrugë të përbashkët për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zelensky e përshkroi Turqinë si “fqinj i mirë, mik i sinqertë dhe partner i rëndësishëm strategjik”, duke theksuar rëndësinë e Turqisë në marrëdhëniet me Ukrainën.

“Do të doja t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Zelensky.

Ai gjithashtu tha se dëshiron ta shndërrojë shtetin e tij në një “qendër atraktive” për investitorët e huaj përmes reformave ekonomike dhe tregtare.

Shkëmbimi tregtar mes Turqisë dhe Ukrainës arriti vlerën prej 4 miliardë dollarësh në vitin 2018, tha Zelensky, duke shtuar se kjo shifër nuk pasqyron potencialin e dy shteteve.

Ai tha se vëllimi i synuar i shkëmbimit tregtar mes dy vendeve është 10 miliardë dollarë dhe një marrëveshje për tregti të lirë do ta “shtronte rrugën” drejt arritjes së këtij qëllimi.

“Do të doja të ftoj botën e biznesit turk në Ukrainë”, tha Zelensky duke garantuar një ambient të rehatshëm pune.

Lideri ukrainas ndodhet në Turqi në një vizitë dyditore.

Shteti i Evropës Lindore mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare muajin e kaluar pasi Zelensky, më herët komedian i njohur, shpërbëri parlamentin gjatë ceremonisë së betimin në muajin maj.

Zgjedhjet nuk u zhvilluan në Krime, një gadishull në bregdetin verior të Detit të Zi i cili në mënyrë joligjore u aneksua nga Rusia në vitin 2014, e as në Ukrainën lindore e cila aktualisht është nën kontroll të rebelëve pro-rusë.

Korridori i paqes në Siri

Erdoğan theksoi rëndësinë e një “korridorit të paqes” në Siri dhe tha se Turqia dhe SHBA kanë rënë dakord që të krijojnë një qendër të përbashkët operative.

“Bisedimet treditëshe me delegacionin ushtarak të SHBA-ve kanë përfunduar pozitivisht”, tha Erdoğan, duke theksuar se gjëja e rëndësishme është që të ndërmerren hapa në lindje të Eufradit me SHBA-të.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, zyrtarët ushtarakë turq dhe amerikanë janë dakorduar që zona e sigurisë në Sirinë veriore do të jetë një “korridor i paqes” për sirianët e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në shtëpi.

Ambasada amerikane në Ankara gjithashtu konfirmoi përmes një deklarate se palët kanë rënë dakord që me shpejtësi të zbatojnë “masat fillestare” për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë dhe të krijojnë një Qendër të Përbashkët Operativ në Turqi për të koordinuar krijimin e zonës së sigurisë.

Turqia ka kryer dy operacione ushtarake tej kufitare në Siri që nga viti 2016, “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, për të çrrënjosur praninë ushtarake të YPG/PKK dhe DEASH-it pranë kufirit me Turqinë.

Ankaraja pret krijimin e një zone të sigurisë prej 32 kilometrash në Sirinë veriore dhe ka theksuar se dëshiron të pastrojë grupin terrorist YPG/PYD nga rajoni.

YPG/PKK është dega siriane e grupit terrorist PKK, i cili për më shumë se 30 vite është përgjegjës për vdekjen e rreth 40.000 personave në Turqi, duke përfshirë shumë fëmijë dhe gra.

Rajoni i Donbassit, procesi i Minskut

Erdoğan tha se shpreson që konflikti në rajonin lindor Donbass në Ukrainë do të përfundojë sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Ne besojmë që problemi mund të zgjidhet në mënyrë paqësore në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.

Ukraina ka fajësuar Kremlinin për dhunën separatiste në Ukrainën lindore, në afërsi të kufirit me Rusinë.

Situata u rëndua pasi u rrëzua fluturimi 17 i Malaysian Airlines mbi Ukrainën lindore rrugës nga Amsterdam për në Kuala Lumpur, duke vrarë të gjithë 283 udhëtarët dhe 15 anëtarët e ekuipazhit.

Kiev fajësoi militantët pro-rusë në Donbass. Në kundërpërgjigje, Moska akuzon Ukrainën se ka rrëzuar avionin.

Duke theksuar se Turqia ka mbështetur procesin e Minskut, Erdoğan tha se i jep mbështetje të plotë misionit special monitorues të OSBE-së në Ukrainë, i cili udhëhiqet nga ambasadorët turq.

Ai shprehu ngushëllimet për popullin ukrainas, duke thënë se armëpushimi ishte shkelur në rajonin Donbass dhe katër ushtarë ukrainas mbetën të vrarë.

Grupi trepalësh i kontaktin për Ukrainën, i përbërë nga përfaqësues nga Ukraina, Rusia dhe OSBE, të mërkurën në Minsk ranë dakord për “armëpushim veror” në rajonin Donbass.

Grupi i cili u krijua për të lehtësuar një zgjidhje diplomatike për luftën në Donbas, u dakordua që të përgatitej për një shkëmbim të të arrestuarve dhe të rindërtonte një urë, duke bashkuar vijën e demarkacionit.Erdoğan: Aneksimi i Krimesë, joligjor