Erdoğan: Aleanca Popullore mes Partisë AK dhe MHP do të vazhdojë edhe në parlament

Erdoğan foli në takimin e Partisë AK në Ankara, në një takim të krerëve të partisë nga të gjitha qytetet turke

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot në Ankara deklaroi se duke patur parasysh numrin e deputetëve dhe gjendjen nëpër të cilën kalon vendi, në parlamentin turk do të vazhdojë aleanca mes Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) dhe Partisë të Lëvizjes Nacionaliste (MHP), raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan foli në takimin e Partisë AK në Ankara, në një takim të krerëve të partisë nga të gjitha qytetet turke. Ai më këtë rast iu referua zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 24 qershor.

“Dalja e qytetarëve në zgjedhje me 86,24 për qind është me të vërtetë e madhe. Prandaj në emër të popullit dhe në emrin tim personal dua të falënderoj të gjithë 50.068.627 qytetarët që votuan në zgjedhje”, ka thënë Erdoğan.

Duke iu referuar edhe Partisë opozitare Republikane Popullore (CHP), Erdoğan tha se kjo parti në zgjedhjet e fundit një pjesë të trupit të saj votues e ka orientuar kah partia e cila drejtohet nga organizata separatiste terroriste, ashtu që kjo parti të kalojë pragun zgjedhor, apo të hyjë në parlament.

“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të CHP-së të cilët e duan vendin e tyre, popullin, Republikën, shtetin, që nga kreu i kësaj partie të kërkojnë përgjegjësi për këtë akt të turpshëm”, ka thënë Erdoğan, duke shtuar:

“Ata që nga partia më vjetër turke bënë që ajo të jetë një lodrër në duar të margjinalistëve nga Perëndimi dhe lodër e emrave udhëheqës të organizatës terroriste në ekzil, do të japin llogari edhe para popullit tim edhe para historisë”.

Presidenti i Turqisë konfirmoi se të hënën më 9 korrik pas betimit solemn si president i vendit, të njëjtën ditë do të emërohet edhe përbërja e re e Kabinetit Qeveritar të Turqisë.

“Të hënën do të jap betimin si President dhe do të marr detyrën në sistemin e ri”, ka thënë Erdoğan, ndërsa në lidhje me aleatin e partisë së tij Partinë e Lëvizjes Nacionaliste, tha se: “Duke patur parasysh numrin e deputetëve, por dhe gjendjen nëpër të cilën kalon vendi, në parlamentin turk do të vazhdojë aleanca me Lëvizjen Nacionaliste (MHP).