1622 matës inteligjentë të energjisë elektrike do të instalohen në 4 rajone të vendit. Pas tenderit me fond limit 120 mln lekë të zhvilluar në fund të vitit që shkoi, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka lidhur kontratën që i hap rrugë investimit, ndërkohë që sipas OSHEE-së përfitimet do të jenë të dyanshme, si për kompaninë ashtu edhe për abonentët.
Kjo duke qenë se matësi inteligjent realizon faturim korrekt dhe cilësor të konsumit, si edhe ndjek në kohë reale fluksin e kilovatëve në rrjetin elektrik. Ndërkohë që, konsumatorët mund të kontrollojnë në kohë reale ecurinë e konsumit dhe faturimin, si dhe problemet që mund të shfaqen nga ndonjë defekt identifikohen dhe marrin zgjidhje të shpejtë.
Matësat e rinj do të instalohen në kabinat elektrike dhe tek abonentët e rajoneve: Durrës, Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Matësat e parë u vendosën në zonën e Kasharit dhe Vorës, pjesë e rëndësishme e rajonit të Tiranës, ku janë përqendruar biznese të shumta.
Pas instalimit të 3500 matësave inteligjentë në këto dy zona, reduktim i nivelit të humbjeve rezultoi në 7.5%, që është edhe standardi i kërkuar. Ndërkaq, kjo i hapi rrugë zbatimit të planit strategjik për investime në sisteme të matjes përmes përdorimit të teknologjisë inovatore.