‘Në Shkodër aq shumë e duan futbollin saqë dhe femrat duan të bëhen futbollistë, madje dhe janë bërë dhe janë për për të 6-shtën herë kampione të trofeve të kombëtares për femra.’ : – thotë Emrahi, një djal i ri të cilit i flasin sytë e shpirtit kur vjen puna tek futbolli. I gjendur mes vështirësive të markatos së futbollit, dhe si kudo në Shqipëri mos vlerësimit të talenteve, Emrahi në këtë intervistë të sinqertë shprehet se nuk do heq kurrë dorë nga ëndrra e tij dhe do vazhdojë të përpiqet të jap më të mirën në futbollin sikur mos e shihte njeri. Ai ka një historik të mahnitshëm futbolli, duke u stërvitur që i vogël, me akademi të ndryshme dhe që sot është një emër që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe menaxherëve sportive.
– Kush është Emrahi për të gjithë ata që nuk e njohin?
– Unë jam Emrah Fikaj, një 20 vjeçar nga Postriba e Shkodrës që dashuroj futbollin dhe e praktikoj atë prej 10 vitesh. Aktualisht jam duke ndjekur ëndrrën time në futboll duke shpresuar kategorinë e parë. Gjithashtu studio dhe prej 10 vitesh në Universitetin e Shkodrës për Edukim Fizik në vitin e parë.
– Si nisi rrugëtimi juaj në futboll?
– Nisi qysh në shkollën 9- vjeçare kur drejtori shkollës vuri re pasionin që unë kisha dhe një ditë i thërriti prindërit e mi e u tha: ‘’Emrahi luan futboll si askush tjetër në shkollë. Mos humbisni kohë por çojeni të vazhdoj stërvitjen me një ekip futbolli rregullisht’’. Që atëherë në moshën 10 vjeçare futbolli ka qenë ajo që unë merresha e më bënte të lumtur dhe kohën time ia kam kushtuar vetëm atij. Kështu pra, vazhdova me ekipe amatore në Postribë dhe hap pas hapi arrita këtu ku jam sot e që falënderoj Zotin, familjen dhe gjithë ata që më mbështetën dhe vazhdojnë të më mbështesin në këtë ëndërr timen.
– Çfarë do të thotë emri Emrah?
– Emri im është emër i një këngëtari të njohur turk por rëndësia që merr emri im është nga personi që e ka vendosur e cila është gjyshja ime që para pak kohësh është ndarë nga jeta dhe ka qenë një person shumë i rëndësishëm në jetën time dhe do të jetë gjithmonë forca ime për të ecur përpara! Çdo arritje është edhe falë saj. (buzëqesh).
– Cilat janë disa nga fitoret e tua në futboll ?
– Në futboll për mua ka pasur shumë fitore. Këtu mund të përmendim që nga fitoret e vogla modeste në aspektin e edukimit sportive, shëndetit, largimi nga shumë vese të këqija dhe mbi të gjitha më ka sjell kënaqësi dhe lumturi sepse është po bëj atë që di të bëj më së miri në jetë. Ndërsa në aspektin financiar dhe karrierës, vitin e fundit kam firmosur kontratë me ekipin e Vllaznisë dhe shpresoj që tani dhe në vazhdim ta mbështes dhe familjen time me të ardhura.
– Përse thonë që Shkodra është djepi i futbollit shqiptar?
– Ka shumë arsye se përse mund ta quajmë Shkodrën djepin e futbollit shqiptar. E para është sepse Vllaznia është ekipi parë profesionist i formuar në Shqipëri dhe i vetmi me 100 vite histori si klub futbolli. Shkodranët e kanë futbollin në gjak dhe në çdo familje është kulturë trajnimi fëmijëve të tyre me njohuri dhe praktika sportive. Shkodra ka nxjerr futbollistët më të mirë në çdo kohë dhe ka korrur sukses dhe jashtë Shqipërisë si për shembull Elseid Hysaj, i cili luan në skuadrën italiane në Napoli në seria A dhe kapiten i skuadrës kombëtare në Shqipëri. Ne e marrim futbollin shumë seriozisht.
– Emrah si një futbollist i ri energjik dhe i suksesshëm, ju keni pasur dhe shumë oferta për jashtë shtetit, çfarq do doje të ndryshoje tek mënyra se si bëhet futbolli në Shqipëri në mënyrë që shumë të rinj të qëndrojnë e të ushtrojnë pasionin në vendin e tyre?
– Dallohet qartë diferenca e futbollit jashtë Shqipërisë dhe brenda saj. Është si dita me natën. Do kisha dashur që në Shqipëri të fillonin të ndryshonin gjërat duke nisur që nga personat që drejtojnë futbollin. Dua që gjërat të funksionojnë me meritokraci për të mirën e zhvillimit të sportit në Shqipëri.
– Si paraqitet situata futbollit për momentin tek Vllaznia ?
– Me shumë keqardhje e them por për momentin Vllaznia nuk është në një situatë aq të mirë siç do donim të gjithë dhe jemi mësuar ta shohim ne populli shkodran. Kur Vllaznia ka rënë nga kategoria, në shkollë ka qenë ditë zie. Por gjithmonë shpresoj për një ekip si Vllanzia, të arrij aty ku ka vendin e saj të hershëm, në maja…
– Kush ju përkrah më shumë në futboll?
– Sigurisht përkrahja më e madhe është nga familje që më kanë qëndruar pranë në çdo gjë që kam pasur dhe gjithmonë kanë qenë shtysa ime për të shkuar përpara. Pa harruar dhe të gjithë të afërmit e mi dhe shoqërinë që më kanë qëndruar pranë.
– Çfarë mendimi keni për futbollin Shqiptar?
– Futbolli shqiptar ka pasur kohë të arta dhe arritje të mëdha vitet e fundit si me klube në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Shpresoj që do eci me hapa të mirë përpara sidomos me paraqitje në kompeticionet Europiane pasi ka talente në futboll. Dhe ne si popull jem sportdashës dhe sidomos në Shkodër, futbolli është muhabeti çdo tavoline mes miqsh.
– Ju keni qënë të aktivizuar në disa shtete jashtë Shqipërisë si Itali, Hollandë e tjera si dhe pjesë e kampionateve të kombëtares shqiptare. Çfarë prespektive morët andej dhe ku ndryshon Shqipëria nga ato vende?
– Është normale që vendet Europiane janë shumë të zhvilluara në shumë gjëra në lidhje me sportin si për shembull kushtet më të mira, pagat e lojtarëve më të larta e për këtë arsye dhe lojtarët janë më të motivuar. Shqipëria duhet të investoj më shumë në këtë pjesë me aq mundësi sa ka pasi shanset për të shkëlqyer i kemi. (buzëqesh).
Si mendon Emrahi…?
- Futbollist lind apo bëhesh…?
– Nuk lind futbollist thjesht lind dëshira për tu bërë futbollist pastaj është thjesht shumë punë përpara për të arritur në nivele profesionale. Je çfarë, punon me veten!
- Planet e tua të ardhshme…?
– Po punoj fortë e po stërvitem intensivisht që kudo që të luaj të jap më të mirën. Shpresoj në një të ardhme të kem mundësinë që të luaj edhe jashtë Shqipërisë.
- Cilat janë pikat e tua më të forta?
– Puna dhe besimi janë pikat e mia më të forta në të cilat bazohem çdo ditë.
- Disa momente të paharrueshme gjatë eksperiencës si futbollist?
– Ka shumë momente të paharrueshme në futboll për mua por një ndër më të bukurat ka qenë pjesëmarrja në UEFA Youth League me Vllaznia U- 19.
- Disa këshilla nga Emrahi për të gjithë ata të rinj që aspirojnë të bëhen futbollistë dhe sapo kanë nisur karrierën e tyre?
– Këshilla ime është që të punojnë fort çdo moment dhe mos të dorëzohen pavarësisht ulje – ngritjeve që mund të kalojnë. Gjithmonë do ia dilni nëse punoni me dëshirë dhe të jeni serioz në atë që dëshironi pavarësisht realitetit jo-favorizues që është në Shqipëri. Nëse është Zoti dhe pasioni përpara, ne mbrapa, do arrijmë çfarë duam e shumë më shumë.
Intervistoi: Arlis ALIKAJ