Emiri i Katarit: Kriza e Gjirit dëmton stabilitetin rajonal

“Siguria dhe stabiliteti i vendeve të Gjirit dhe atyre arabe nuk do të arrihet duke paragjykuar sovranitetin e tyre”, tha Al Thani

Emiri i Katarit, sheiku Tamim bin Hamad Al Thani, ka deklaruar se përkeqësimi në lidhjet e Gjirit po pengon përpjekjet për të zgjidhur problemet rajonale, raporton Anadolu Agency (AA).

“Marrëdhëniet e përkeqësuara të Gjirit po dobësojnë aftësinë tonë për të zgjidhur problemet rajonale”, tha ai në një fjalim në Këshillin Shura të vendit.

“Siguria dhe stabiliteti i vendeve të Gjirit dhe atyre arabe nuk do të arrihet duke paragjykuar sovranitetin e tyre”, tha Al Thani.

Al Thani tha se kriza e Gjirit ka ekspozuar “dështimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) për të arritur qëllimet e tij dhe për të përmbushur aspiratat e popullit tonë”.

Blloku prej gjashtë vendesh me shtetet e Gadishullit Arabik të pasur me naftë, GCC përbëhet nga Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Bahreini dhe Katari.

Në qershor të vitit të kaluar, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kolektivisht shkëputën lidhjet me Dohën, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit.

Aksi i udhëhequr saudit imponoi po ashtu një embargo ajrore, tokësore dhe detare ndaj Katarit, i cili vazhdon të mohojë akuzat për terrorizëm.