Elon Musk njeriu më i pasur i të gjitha kohërave

Java e kaluar nisi mbarë për Elon Musk. Aksionet e Tesla kapën majat, pasi Hertz njoftoi se dëshiron të blejë 100.000 makina elektrike (kryesisht Tesla 3) për flotën e makinave me qira.

Pasuria e Musk u rrit me 25.6 miliardë dollarë pas mbylljes së tregut të premten.

Pasuria e Elon Musk

Sipas vlerësimeve të Forbes, pasuria neto u rrit në 255.2 miliardë dollarë pas mbylljes së tregut dje. Kjo shifër e bën njeriun më të pasur të të gjitha kohërave që ka ecur ndonjëherë në planet. Ai është më i pasur se çdo miliarder që Forbes ka analizuar ndonjëherë. Pasuria e Musk vlen më shumë se ajo e bashkëthemeluesit të Google, Larry Page, dhe CEO-s së Facebook, Mark Zuckerberg, së bashku.

Për pjesën më të madhe të pasurisë, Musk duhet të falënderojë kuotën prej 21% të aksioneve në Tesla, të cilën e ndihmoi që në fillim, së pari si investitor, thuajse dy dekada më parë. Të premten aksionet u mbyllën në kuotën 910 dollarë. Mesditën e së hënës, aksionet u rritën në rreth 978 dollarë secili, me rritje 33% nga fillimi i vitit. Në orën 16:00, kapitalizimi i tregut të Tesla kapërceu për herë të parë 1 mijë miliardë dollar.

Aksionet arritën në fund të ditës në 1.024,86 dollarë secili, në rritje me 12.6% në një ditë. Musk ka aksione edhe në shoqërinë e eksplorimit të hapësirës SpaceX. Së fundi, kompania është vlerësuar nga investitorët në 74 miliardë dollarë, pas një financimi në shkurt.

 

Dueli me rivalin Jeff Bezos

Musk e ka lënë pas Jeff Bezos si njeriu më i pasur në botë në shtator. Në atë kohë, Musk bëri një shaka me Forbes, që t’i dërgonte një medalje argjendi themeluesit të Amazon dhe rivalit në garën hapësinore (e më pas i dërgoi Bezos një emoji medalje të argjendtë në Twitter).

Pasuria e Bezos ra me 1 miliard dollarë të hënën, pasi aksionet e Amazon u lëkundën para raportimit të fitimeve në tremujorin e tretë. Hendeku midis dy burrave më të pasur është zgjeruar në më shumë se 62 miliardë dollarë. Kur aksionet e Amazon arritën pikun në fillim të korrikut të këtij viti, manjati i teknologjisë në Seattle vlente rreth 222 miliardë dollarë.

Pandemia ka përkeqësuar pabarazitë e të ardhurave në Shtetet e Bashkuara dhe shtresa më e pasur e shoqërisë po bëhet më e pasur se kurrë. Midis janarit 2020 dhe prillit 2021, miliarderët amerikanë u bënë rreth 1.2 trilionë dollarë më të pasur. Për sa i përket pasurisë në dollarë, Musk ishte fituesi më i madh nga të gjithë. Dy vjet më parë, pasuria e tij neto, sipas Forbes, ishte 19.9 miliardë dollarë, më pak se një e dhjeta e asaj që vlen sot.

Marrëveshja me Hertz

Marrëveshja me Hertz përfaqëson porosinë më të madhe të të gjitha kohërave për automjete elektrike dhe sipas Bloomberg, kjo do t’i sjellë Tesla rreth 4.2 miliardë dollarë të ardhura.

Hertz, sipas deklaratës për shtyp, thotë se Model 3 i Tesla do të jetë i disponueshëm për qira në qytetet kryesore amerikane dhe europiane në fillim të nëntorit. Edhe aksionet e Hertz u rritën pas publikimit të lajmit, duke e mbyllur të hënën me më shumë se 9%, në 27 dollarë për aksion.