Eksportet turke rriten me 4,6 për qind në prill 2019

Eksportet e Turqisë në prill kanë shënuar një rritje me 4,6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2018 duke kapur nivelin e 14 miliardë e 480 milionë dollarëve.

Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK-TurkStat) publikoi të premten të dhënat e përkohshme të tregtisë së jashtme për muajin e katërt të vitit 2019, një raport i hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë.

Kështu, eksportet në prill u rritën me 4,6 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar duke arritur në 14 miliardë 480 milionë dollarë.

Në këtë periudhë, deficiti i tregtisë së jashtme shënoi rënie me 55,6 për qind duke u realizuar në 2 miliardë e 982 milionë dollarë.

Raporti i mbulimit të importeve me eksporte u rrit në 82,9 për qind në prill të këtij viti, nga 67,4 për qind që ishte të njëjtin muaj të 2018-s.

Vendi ku janë bërë më shumë eksporte në muajin prill është Gjermania me 1 miliard e 243 milionë dollarë.

Ky shtet u pasua nga Mbretëria e Bashkuar me 819 milionë dollarë, Italia me 777 milionë dollarë dhe Iraku me 754 milionë dollarë.