Edi Rama për ndërtimin e 500 apartamenteve të reja në Laç nga Turqia: I hapim rrugë transformimit rrënjësor

Firmoset marrëveshja! Tërmeti shkatërrimtar, Turqia do ndërtojë 500 banesa

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me projektin për ndërtimin e 500 banesave të reja në Laç do t’i hapim rrugë një transformimi rrënjësor në funksion edhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se sa ato që kishin”.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm sot në firmosjen e marrëveshjes për ndërtimin e 500 njësive të reja banimi mes ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ministrit turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum.

“Jemi këtu për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për rindërtimin urban, sikurse është bërë e ditur dje gjatë një konference për shtyp mes të dy ministrave. Tanimë jemi në fazën e dytë të këtij projekti dhe kemi ardhur në këtë moment të nënshkrimit për të vazhduar me zbatimin e këtij programi bashkëpunimi”, tha Rama.

Ai theksoi se “janë 500 njësi të reja banimi që ndërtohen nga miqtë e ardhur nga Turqia me porosi të Presidentit Erdogan dhe ne kemi zgjedhur pikërisht zonën e Laçit”, raporton ATA.

“Ne besojmë se me këtë projekt do t’i hapim rrugë një transformimi rrënjësor në funksion edhe të qëllimit tonë që njerëzit që humbën shtëpitë të kthehen në shtëpi më të mira se sa ato që kishin”, tha Rama.

Ai u shpreh se “nuk është thjesht zëvendësimi i godinave të rrënuara po aty me godina të reja, por do të kemi edhe një transformim të rëndësishëm të gjithë situatës urbane”.

“Ndaj me ministrin kemi folur për një plan më të gjerë, ku nga njëra anë agjencia e angazhuar për rindërtimin e këtyre 500 njësive banimi do t’i bëj të mundura ato, nga ana tjetër ne do të angazhohemi me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të gjithë infrastrukturën dhe hapësirat publike”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se “kemi folur po ashtu edhe për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare një problemi të vjetër të trashëguar në zonën e bashkisë së Laçit që lidhet me përmbytjet e shkaktuara në mënyrë të vazhdueshme si pasojë e bllokimit të një kolektori kryesor”.

“Është një program kompleks ku të dyja palët do të ndajnë punët dhe bashkërisht do të mundemi që në një kohë relativisht të shkurtër të krijojmë një nga shembujt më kuptimplotë të këtij programi rindërtimi”, tha Rama.

Në përfundim, ai falënderoi me shumë mirënjohje ministrin, të gjithë delegacionin masiv që ka ardhur bashkë me të dhe përfaqësues nga të gjitha strukturat që janë të specializuara për programet e ndërtimeve me karakter social në Republikën e Turqisë”.