Dyndje në Nju Jork për të mbledhur fonde pas tërmetit, mediat italiane: Edhe 20 të tjerë janë nën rrënoja

Mediat më prestigjioze në botë po i kushtojnë orë pas ore jehonë tragjedisë pas tërmetit që goditi rëndë Shqipërinë.

Ansa raporton, se sipas shifrave të fundit, deri tani janë 27 të vdekur, përfshirë tre fëmijë midis 4 dhe 8 vjeç, si dhe nëntë gra.

Po sot, ndërkohë, është shpallur ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave.

Dhe rreth orës 5 pasdite pati një tronditje të fortë të madhësisë 5.6 ballë, rreth dyzet kilometra nga kryeqyteti shqiptar, Tirana. Epiqendra ishte në Adriatik. Pas kësaj tronditje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se operacionet e shpëtimit do të pezullohen përkohësisht.

Të paktën 13 trupa u nxorën nga rrënojat në zona të ndryshme të Durrësit, 11 në Thumanë,  ndërsa një viktimë u gjet në Kurbin.

Burime zyrtare i thanë ANSA-s se ka ende rreth njëzet persona të zhdukur.

“Dua të falënderoj popullin italian dhe institucionet e tyre për kontributin e madh në këtë tragjedi,” i tha ANSA presidenti i Republikës shqiptare, Ilir Meta. “Falënderimet janë një domosdoshmëri jo vetëm për ekipet shumë profesionistë që janë në punë tani, por për gjithçka që po bën Italia për të adresuar këtë tragjedi”.

“Ekipet tona kanë punuar pa ndërprerje që nga nata e kaluar. Ishte një situatë shumë, shumë e vështirë,” sqaroi për ANSA Luca Cari, oficer komunikimi për Departamentin e Zjarrfikësve Italianë pranë ndërtesës katër-katëshe në Durrës. “Këtu kërkohen 6 persona: tre fëmijë, dy gra dhe një burrë”, thotë Cari. Ndërkohë, dhjetëra anëtarë të familjes dhe të njohurit grumbullohen rreth rrënojave, në pritje dramatike të një lajmi të mirë.

Qeveria shqiptare njoftoi sot se ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës. Kryeministri Edi Rama sqaroi se masa do të zgjasë për një periudhë prej 30 ditësh.

Në Turqi, Francë, Gjermani, Angli e deri në SHBA mediat japin lajme reth zhvillimeve të fundit në vendin tonë, pas situatës dramatike.

Pasi Shqipëria u trondit nga një tërmet shkatërrues këto ditë, një Këshilltar i Qytetit të Nju Jorkut po kërkon nga miqtë e tij dhe qytetarë ndihma në përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të zonave të prekura.

Në kohë tragjedie, ndihmat mund të sjellin sadopak lehtësim dhe dhembshuri, tha këshilltari i qytetit të Bronx, Mark Gjonaj, me origjinë shqiptare.

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar brenda ditës zyrës së ij në Bronx, duke e pyetur se si mund të ofrojnë ndihmë pas tërmetit shkatërrues me madhësi 6.4 që tronditi vijën bregdetare perëndimore të Shqipërisë dje – disa madje filluan të sjellin menjëherë furnizime në bazën e tij të operacioneve, tha ai.

Gjonaj tha se faqja e tij GoFundMe që ai dhe të tjerë shqiptarë krijuan është rritur në mbi 20,000 dollarë gjatë ditës së kaluar – të gjitha falë kontributeve lokale dhe globale.

“Të shohësh mënyrën se si bashkohet ky qytet kur një komb tjetër vuan nga një tragjedi është diçka e pakrahasueshme,” tha Gjonaj./NOA.al