Durrës, rrjedh bombola e gazit, shpërthimi i fuqishëm shkatërron banesën

Shpëton mrekullisht 75-vjeçari...

Shpërthimi i një bombole gazi ka shkatërruar plotësisht një banesë njëkatëshe mëngjesin e sotëm në Durrës, ndërsa mbeti i plagosur lehtë një 75-vjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:45, në lagjen nr.13, Durrës, pranë ish-frigoriferit, matanë shinave. Policia vendore bëri të ditur se si pasojë e rrjedhjes së bombolës së gazit ka rënë zjarr në banesën e shtetasit F. B., 75 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikësve kanë dhënë ndihmën e parë dhe grupi hetimor që ndodhet në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të saj. Paraprakisht, burime nga grupi hetimor thonë se fuqia e shpërthimit ka qenë e tillë sa e ka shkatërruar plotësisht shtëpinë e Fetah Barotit, 75 vjeç. E goditur më parë dhe nga tërmeti që sipas specialistëve ka ndikuar në dobësimin e strukturës ndërtimore të banesës e cila u dëmtua e tëra nga ngjarja e mëngjesit të sotëm.