Policia bën të ditur se personi i arrestuar kultivonte bimë narkotike në ambient të mbyllur te përshtatur.
Sipas policisë në pranga është vënë shtetasi Elio Bedulla 25 vjeç, banues në Durrës. Bedulla, ishte i shpallur në kërkim pasi në datë 4 qershor 2018 dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit S.N. (pa shkaktuar dëmtime fizike).
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Y.T. (dhënë me qira) lagja nr.14, Shkozet, në 2 dhoma është konstatuar se ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llampave elektrike.
Gjithashtu, gjatë operacionit u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesë, që shërbente për furnizimin me energji. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 221 bimë kanabis, një sasi e vogël kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit R.G., 33 vjeç, banues në Durrës, si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me E.Bedulla, pasi ky shtetas e kishte marrë me qira banesën e shtetasit Y.T. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre shtetasi K.D., 28 vjeç, faturist, OSHEE Durrës, pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit Y.T”, sqaron policia në një njoftim për mediat.
Policia thotë se nuk mund të japë më shumë detaje për ngjarjen për shkak të vazhdimësisë së veprimeve hetimore.