Do jenë thjesht një palë zgjedhje normale brënda anormalitetit

Nga Redi Shehu

Do të donim që këto zgjedhje që vijnë, të jenë një palë zgjedhje që do të përsërisin tragjikomedinë tonë elektorale, ku nga njëra anë të vjen për të qarë për mënyrën se si vota popullore transformohet në mekanzimat e distilimit zgjedhor, dhe nga ana tjetër, të vjen për të qeshur kur mendon se si besnikëria politike kullon në vrimat e aleancave për pushtet. Do ta donim këtë për arsye se nuk do na bënte mirë të dilnin nga anormalja drejt normales. Do të shkaktonte një kolaps të papërballueshëm sepse, ne, thjesht nuk e duam normalen. Pra, fakti që anormaliteti është tashmë status-quo-ja jonë, tranzicioni është emri ynë i dytë, destabiliteti është mënyra se si ne identifikojmë vetveten, atëhere çdo formë tjetër zgjedhjesh do të na nxirrte nga kjo “rehati”. Ngjashëm me të burgosurin i cili shpenzon një kohë të gjatë të jetës së tij në burg, dhe në momentin që del, kërkon të kthehet përsëri në qeli sepse ajo përfaqëson normalen, jetën dhe përditshmërinë e tij, ndërkohë që liria me të panjohurat e saj i duket thjesht një burg i ri i padeshifrueshëm.

Përpjekjet për t’i reklamuar këto zgjedhje si më të veçantat, më urgjentet, më historiket, etj. etj, janë thjesht një përsëritje banale e emergjencave elektorale të cilat i janë përplasur në turinj turmës për të arritur një qëllim të caktuar për një subjekt të caktuar. Metafora mesianike e shpëtimtarit të pushtetit nga zullumqari i radhës është një këngë e vjetër e sprapsme e fushatave. Në këtë kuptim zgjedhjet e radhës me 25 Prill, nuk do jenë një moment historik, as edhe një etapë e re apo ndryshim i madh, thjesht ato do jenë zgjedhjet e radhës në batakun e informalitetit dhe të kontestimit, të deformimit të votës dhe protestës së humbësit, do jenë zgjedhjet politikisht korrekt nga vëzhgues që as i plas fare për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët me fjalë prej vazeline do të mundohen të investohen për stabilitetin nacional në kurriz të informalitetin elektoral.

Nuk mund të pretendojmë se do të ketë ndryshim të madh dhe cilësor në një palë zgjedhje, ndërkohë që e gjithë politika dhe mekanizmat me të cilat ajo gjallon janë duke vepruar me të njëjtat forma të gabuara. Jeta partiake brënda partive politike, e cila përfaqëson bërthamën nga e cila merr formë demokracia e një vendi, vazhdon të jetë e sunduar nga kryetarë partish të cilët ose inskenojnë zgjedhje të brëndshme farsë, ose nuk bëjnë fare zgjedhje dhe shfaqen në opinionin publik si ikona shenjtorësh politikë prej guri, që ska gjë që i luan nga vendi. Nuk mund të pretetendojmë të kemi ndryshim të madh dhe cilësor në proçeset elektorale, por edhe ne proçeset demokratike, nëse sovrani, pra populli, sipas narrativës së demokracisë, trajtohet si një masë pa shpirt e gatshme për t’u manipuluar përmes propagandës. As nuk mund të ketë ndryshime kur gënjeshtra dhe fake news ngrihen në sistem si mjet kryesor politik, dhe pastaj prej saj kërkohet të bëhet ndryshimi i pritur.

Këto zgjedhje, do të përsërisin rutinën e vjetër tre dekadëshe të demokracisë tonë hibride ku zgjedhësit të investuar nga partit politike, do të çimentojnë edhe më shumë pozicionet e tyre partiake duke ngushtuar hapësirën e njerëzve të cilët duan që gjërat të ndryshojnë me kohë të reja dhe aktorë të rinj. Nuk do ketë një tronditje të madhe politike e cila dhunshëm të nxjerr nga status-quo-ja drejt një konceptimi të ri të mënyrave dhe formave, aktorëve dhe mekanizmave me të cilat konstruktohet politika jonë. Nuk do ketë një popull tjetër përveç atij shqiptar i cili do të shkojë në votime duke bartur në kurriz të gjitha simptomat e sëmundjeve të tija të shtresëzuara gjatë demokracisë dhe të rënduara akoma më tepër në kaosin tonë që ne guxojmë ta quajmë politikë e përditshme. Nuk do të ketë dëshirë për të përmirësuar gjërat dhe për t’u ngritur si popull, sepse përsëri bursa e shitblerjes së votës tashmë ka kohë që ka filluar pa nisur koha e zgjedhjeve. Nuk do të ketë ndryshim të madh sepse partitë po garojnë për të caktuar takime me krerë bandash kriminale, si dhe banditë dhe kriminelë po dalin brej burgjeve rastësisht dy muaj para zgjedhjeve.

Tragjikomedia e zgjedhjeve do të përsëritet përpikshëm njësoj si më parë sepse partitë rreshtojnë në skalionet e luftës elektorale pothuaj të njëjtat personazhe të tre dekadave të fundit. Vështirë se mund të ketë ndryshime epokale, ngjarje të reja me personazhe të vjetra, të cilët janë autorët kryesorë të totalitarizmit demokratik të ndëtuar me aq kujdes prej tyre. Vështirë se mundet që këto zgjedhje të prodhojnë përmirësim të situatës ekonomike në kohën që partitë vazhdojnë të fokusojnë thelbin e ndryshimit tek shifrat dhe jo tek njerëzit të cilët do të prodhojnë këto shifra. Problemi i politikës tonë nuk është çështje aritmetike, apo joshjeje programore, sepse janë bërë joshje pa fund gjatë demokracisë tonë hibride, problemi më i madh është tek sistemi që do të ngrihet, tek ai i cili do të zbatojë programet dhe do t’i transformojë ato në produkte të mirëqënies publike.

Sondazhet tregojne për një të kuptuar kaotik të politikës tonë nga zgjedhësit. Nga njëra anë ata shprehin pëlqimin për liderë politikë të cilët kalojnë edhe parashikimet më të mira, nga ana tjetër, shprehen në maxhorancë se duan ta braktisin këtë vend. Nga njëra anë ata shprehin mbështetje për partitë kryesore në shifra të habitshme, nga ana tjetër, janë të pakënaqur me mënyrën se si bëhet politika tek ne. Kjo, është edhe një arsye tjetër se përse këto zgjedhje nuk do përfaqësojnë ndonjë gjë të veçantë, për sa kohë është i njëjti elektorat që ka të njëjtin të kuptuar të gabuar të gjërave.

Prandaj, kjo “rehatija” jonë në anormalitet, përbën në fakt normalitetin tonë, i cili po shndërrohet në standart, nga i cili po gjykohen të gjitha proçeset e tjera. Nëse vazhdohet kështu, do vijë koha kur e drejta, normalja dhe standarti do të kthehen në subjekte të vepres penale të gatshme për t’u përsekutuar në turrën e inkuzicionit të informalitetit.