Djali fshihet te “Varrezat e Dëshmorëve”, i ati e ndiqte me armë për ta vrarë

Një 47 vjeçar nga Kukësi ka rrezik të dënohet  të paktën dy vjet burg se akuzohet për keqtrajtimin e dy djemve të tij të mitur, të cilët përshkruajnë se si i ati vendoste armët mbi tavolinë dhe i rrihte në rast se ata u kthenin fjalën. Njëherë njëri prej tyre për t’i shpëtuar dhunës dhe kërcënimit me armë që i ati i kishte bërë, ia kishte mbathur dhe  ishte fshehur në varreza.

Çështja është hetuar dhe gjykuar në sekret për shkak të moshës së vogël të fëmijës që ka denoncuar babanë, ndërsa gjatë gjykimit atij i është bashkuar edhe vëllai tjetër që ka përforcuar skenat e tmerrshme në familje. Pikërisht nga dhuna ishte larguar nga shtëpia edhe e ëma, e cila është strehuar te babai i saj, duke lënë vetëm dy fëmijët, njërin ndër ta edhe djalin, i cili në nëntor mbush 15 vjeç.

Gazeta “Si” raporton se babai i dhunshëm quhet B. D., lindur në Kukës dhe banues në rrugën “Shefqet Ndroqi” dhe po hetohet me masën e arrestit shtëpiak, i ka provuar prangat disa herë pas denoncimeve të bashkëshortes. Prokuroria thotë se B. D. është përdorues i rregullt i alkoolit.

Episodi i fundit i dhunës për të cilin fëmija ka vendosur të tregojë që i ati kishte armë dhe që i rrihte ka ndodhur në shtator 2018. Një ditë më pas në 17 shtator burri është arrestuar në flagrancë, ndërkohë që i mituri tha “të rrahurën ia bëj hallall, por të ndjekësh fëmijën tënd me armë…”

Në seancën e zhvilluar sipas rregullave të kodit të drejtësisë penale për të mitur, djali është pyetur me psikolog. Thëniet e tij janë administruar në gjykatë gjatë seancës me dyer të mbyllura. “Babai na rreh dhe na shan, shpesh thotë se do na vrasë. Si të pinte dhe mos të pijë alkool ai njësoj është. Ai sillet shumë keq me mamin, e rrihte, edhe kur doli nga burgu njësoj. As unë nuk kisha marrëdhënie të mira me babin. Kur iku mami nga shtëpia punët në shtëpi i bëja unë, ndërsa ai më urdhëronte dhe më kërkonte t’i bëja shërbim.

Edhe pse unë i laja enët ai më bërtiste dhe më kërkonte llogari, pse nuk i kisha larë mirë, nëse i ktheja fjalën vazhdonte më rrihte”, thotë i mituri në dëshminë e tij. Sipas tij, në rastin e fundit, babai ishte me një shokun e tij duke pirë alkool. “Pasi çoi atë në shtëpi, erdhi më kërkoi llogari pse nuk i drodha një cigare. Unë i thashë jo dhe ai aty filloi të më gjuajë, ika me vrap dhe i frikësuar dhe herë pas here ktheja kokën se mos po më ndiqte. U fsheha te varrezat e dëshmorëve dhe nuk kisha asgjë frikë veç babait tim.

Pastaj e pashë që po kontrollonte, ika me vrap dhe u fsheha në spital dhe deri sa shkoi ora shtatë e mëngjesit qëndrova me rojën. Kisha frikë edhe për vëllain tjetër, kur shkova e takova më tha të kthehesha, pasi babi e kishte fshehur armën. Mora një thes, shkova ku e kishte fshehur armën babi dhe e çova larg. Pastaj shkova në polici dhe denoncova. Nuk durohej më”, deklaron ai.