Ditmir Bushati: Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE

"Këshilli i kërkoi KE-së të fillojë pa humbur kohë procesin përgatitor me Shqipërinë duke qenë se ka skicuar qartë rrugën drejt bisedimeve për anëtarësim dhe gjithashtu ka përcaktuar një afat kohor, qershorin e 2019-s"

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se është përcaktuar një afat kohor, konkretisht qershori i vitit 2019 për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Bushati në një konferencë për mediat theksoi se Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt procesit të anëtarësimit në BE, duke iu referuar takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të BE-së.

“Këshilli i kërkoi KE-së të fillojë pa humbur kohë procesin përgatitor me Shqipërinë duke qenë se ka skicuar qartë rrugën drejt bisedimeve për anëtarësim dhe gjithashtu ka përcaktuar një afat kohor, qershorin e 2019-s për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Natyrisht kjo është një praktikë e njohur për Bashkimin Evropian i cili edhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi, ka përcaktuar një afat kohor brenda së cilit ndodhi puna përgatitore nga momenti i marrjes së vendimit të Këshillit deri në momentin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati.

Sipas kryediplomatit të Shqipërisë, komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, është shprehur shumë qartë sot, si dhe Presidenca e BE-së në mbështetje të këtij procesi.

Ministri shtoi se “Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh shumë qartë, gjithashtu edhe Presidenca e BE-së” dhe tanimë, sipas tij, Shqipëria është në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE.

“Kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria nga momenti që mori statusin e vendit kandidat është impresionues, por që duhet të thellohet edhe më tej në muajt në vijim”, deklaroi Bushati.

Kujtojmë se në prill të këtij viti Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.