Përfundon raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi

Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë i mbajtur në Bjellorusi përfundoi, pas më pak se tre orësh. Zyrtarët rusë janë shprehur se do diskutohet sërish për armëpushim për largimin e civilëve. Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve u mbajt më 28 shkurt dhe i dyti më 3 mars në Bjellorusi. Ndërkohë,…

Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë i mbajtur në Bjellorusi përfundoi, pas më pak se tre orësh.

Zyrtarët rusë janë shprehur se do diskutohet sërish për armëpushim për largimin e civilëve. Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve u mbajt më 28 shkurt dhe i dyti më 3 mars në Bjellorusi.

Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të takohen të enjten në Antalia të Turqisë, sipas ministrisë së jashtme ruse, por ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Delegacioni ukrainas ka preferuar që të paraqitet sërish me veshje praktike në ngjyrë ushtarake, ndërsa delegacioni rus me kostume serioze.

Zyrtarët ukrainas duan të tregojnë se të gjithë  janë kthyer në ushtarë për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmi rus. Ata gjithashtu ‘rrëfejnë’ përmes veshjes, se janë praktikë, duke mos pasur kohë që të kujdesen për pamjen e tyre të jashtme, ndërsa dhjetëra bashkëkombës të tyre po vriten e mijëra po largohen.

Në raundin e dytë të bisedimeve, Rusia dhe Ukraina, ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve.

Edhe pse u ra dakord për  një armëpushim për të evakuuar civilët, kjo gjë nuk ndodhi.

Kurse në raundin e parë, i cili u zhvillua në rajonin Gomel të Bjellorusisë, pas bisedimeve pesë orëshe, delegacionet ranë dakord për të mbajtur një raund të dytë të bisedimeve me qëllimin për të arritur një armëpushim së shpejti.

Takimi i dytë u  duk se e krisi sadopak akullin e trashë të krijuar mes dy vendeve, pasi zyrtarët e dy palëve shtrënguan duart, ndërsa sot zhvillimet pozitive ishin të pakta.