Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në një deklaratë me shkrim u prononcua për dorëheqjen e homologut të tij grek, Nikos Kotzias, duke e konsideruar punën e tij dhe të homologut grek në arritjen e marrëveshjes midis dy vendeve si diçka që konsiderohej e “pamundur në 27 vitet e fundit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Të udhëhequr nga kryeminitrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, me ministrin e Jashtëm, Kotzias, kishim muaj intensiv të komunikimit, u bëmë miq të vërtetë dhe në periudhën prej një viti arritëm të bëjmë diçka që në 27 vitet e fundit konsiderohej si e pamundur. I afruam dy vendet tona dhe arritëm Marrëveshjen historike të Prespës, duke ndërtuar urë të miqësisë dhe duke dëshmuar se edhe rajoni ynë mund të zgjidhë mosmarrëveshjet dhe të krijojë të ardhme. Nikos, të uroj shëndet dhe sukses në të gjitha sfidat e ardhshme”, ka shkruar Dimitrov.
Ai ka shtuar se “Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë me një angazhim të fortë për të përfunduar këtë zgjidhje historike, së bashku me forcat tjera progresive dhe demokratike në Shkup dhe Athinë”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, dha dorëheqje dje, ndërsa në një mesazh të postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ai thotë se ishte i detyruar të ndante rrugët me qeverinë.
“Në takimin e djeshëm, kryeministri dhe shumë ministra bënë zgjedhjen e tyre. Pastaj edhe unë e bëra zgjedhjen time”, tha Kotzias.
Pas dorëheqjes së Kotzias, Tsipras do të udhëheqë edhe Ministrinë e Jashtme greke
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, dje pas dorëheqjes së ministrit Kotzias tha se ai do të udhëheqë edhe postin e ministrit të Jashtëm.
Tsipras në një deklaratë për media para kabinetit të kryeministrit, pasi pranoi dorëheqjen e ministrit Kotzias, shprehu mirënjohje për detyrat e tij në Ministrinë e Jashtme, duke shtuar se, “Me keqardhje pranova këtë dorëheqje”.
Ai po ashtu iu referua Marrëveshjes së Prespës, duke theksuar se, “Mora vendim për të marrë përsipër postin ministër i Jashtëm. Kjo tregon angazhimin tim rreth asaj se do të bëjë gjithçka që të mundësojë realizimin me sukses të Marrëveshjes historike të Prespës, e cila forcon rolin ndërkombëtar të vendit”.
Kryeministri grek porositi se takimet parlamentare që janë duke u mbajtur, në lidhje me pranimin e Marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë duhet të vazhdojnë me guxim dhe vendosmëri.
Kujtojmë se qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë në qershor të këtij viti, në Prespë nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit midis dy vendeve dhe për partneritet strategjik, sipas së cilës Republika e Maqedonisë duhet ta ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.