“Dimensioni parlamentar ka rëndësi të madhe në procesin e integrimit evropian”

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) u diskutua mbi zbatimin e Planit të veprimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), me temë “Zbatimi i Planit të veprimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian(BE)”, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarja e KKIE-së, Rudina Hajdari, nënkryetari i këtij këshilli Taulant Balla si dhe kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, ku ndër të tjera u diskutua edhe për raportin vjetor të KKIE-së për vitin 2020.

Në fjalën e saj të hapjes, Hajdari tha se rekomandimet e dhëna në Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2020 janë udhërrëfyesi i punës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

Sipas raportit vjetor, KKIE për vitin 2020 ka organizuar në total 5 takime periodike dhe 3 takime ndërgjegjësuese ku i ka kushtuar veçanërisht vëmendje reformës në drejtësi, të drejtave të njeriut, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Raporti thekson edhe rolin e shoqërisë civile në KKIE si një mekanizëm institucional i konsultimit të çështjeve të integrimit evropian me të gjithë aktorët e interesuar, që përmes ekspertizës së tyre japin ndihmesë në kapituj të veçantë”, tha Hajdari.

Ndërsa nënkryetari i KKIE-së, Balla, në fjalën e tij tha se është bërë një punë e rëndësishme për të plotësuar çdo përparësi të lënë nga Këshilli Evropian, pavarësisht sipas tij shtyrjes për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Pavarësisht shtyrjes që po i bëhet në vazhdimësi këtij procesi, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave, jo sepse BE po i kërkon ato, por sepse ua kemi borxh qytetarëve tanë, të cilët rreth 98 për qind, mbështesin proceset integruese të vendit. Madje, pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë të bindur që reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit janë të duhura dhe për të mirën e vendit”, deklaroi Balla.

Pjesë e takimit ishte dhe kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, i cili raportoi mbi zbatimin e planit të veprimit.

Sipas Mazit, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe tashmë synim është mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në në qershor. “Dimensioni parlamentar ka rendësi mjaft të madhe në procesin e integrimit evropian”, tha Mazi.

Plani i Veprimit për hapjen e negociatave është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me rezolutën e datës 24 shtator 2020.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) është struktura më e lartë këshillimore kombëtare në Shqipëri për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe është në pritje të fillimit zyrtar të negociatave të anëtarësimit.