Dhjetë anëtarë jo të përhershëm të KS-OKB thirrje për Idlibin

"Ne jemi thellësisht të shqetësuar për katastrofën e madhe njerëzore që do të shkaktojnë operacionet ushtarake në qytetin Idlib të Sirisë", ka thënë Wronecka

Dhjetë vende anëtare (E-10) jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB-së) kanë bërë thirrje për zgjidhjen e krizës në qytetin Idlib të Sirisë duke theksuar se “është burim i një shqetësimi të thellë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Joanna Wronecka, përfaqësuesja e përhershme e Polonisë në OKB e cila ka marrë edhe kryesimin e radhës të grupit E-10 bashkë me përfaqësuesit e tjerë të grupit të përbërë nga Kuvajti, Kazakistani, Holanda, Suedia, Bolivia, Peruja, Bregu i Fildishtë, Gunieja Ekuatoriale dhe Etiopia kanë zhvilluar një takim me gazetarët.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për katastrofën e madhe njerëzore që do të shkaktojnë operacionet ushtarake në qytetin Idlib të Sirisë”, ka thënë Wronecka, duke rikujtuar se grupi ditën e djeshme ka mbajtur një takim në lidhje me çështjen e Idlibit.

Pasi i ka ftuar aktorët në rajon për gjetjen e një zgjidhjeje në Idlib, Wronecka tha se ata po bëjnë thirrje për respektimin e ligjeve ndërkombëtare humanitare dhe ligjeve të të drejtave të njeriut.

Krahas anëtarëve të përhershëm të KS-OKB-së, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Kinës (P-5), 10 vendet e tjera (E-10) zgjidhen në Këshill për një periudhë 2 vjeçare.