Dështon përsëri seanca gjyqësore për Saimir Tahirin

“Shqipëria po ecën përpara, vetëm gjyqi im ka ngecur”, ka thënë Tahiri në fund të seancës.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë prokurora jo e rregullt për Gjergj Kohilën, ish-shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë për Qarkun e Vlorës, i cili ndodhet në arrati.

Ndërkohë, Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës ndaj Tahirit të zhvillohet më 17 korrik.

Seanca e parë gjyqësore ndaj ish-ministrit u shty për shkak të mungesës në sallë të ish tre zyrtarëve të policisë së Vlorës; Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, raporton balkanwb.

Gjykata tha se duhet të rinjoftohen edhe njëherë tre personat e lartpërmendur, pasi nuk kanë marrë dijeni për nisjen e procesit, por ndërkohë Jaeld Çela kishte lëshuar në datën 17 qershor një prokurë që thoshte që ishte dakord të përfarohej në mungesë nga avokati i tij.

Vetë ish-ministri Tahiri nuk ka munguar në asnjë seancë gjyqësore. Tahiri ka bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, kërkesë që pritet të shqyrtohet nga gjykata në seancën e 17 korrikut.