Çifti i biznesmenëve që u plagosën nga grabitësit në Allias në spital, shpëton vajza

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në kryeqytet pas një tentative grabitjeje.

“Shekulli” mëson se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka”, në Allias brenda apartamentit të familjes Laze (vilë).

Mësohet se të shtënat janë dëgjuar rreth orës 21.40, ndërsa të plagosur janë Afërdita Laze dhe bashkëshorti i saj Petrit Laze, ndërkohë që bëhet me dije se janë biznesmenë të prodhimit të brumit.

Të plagosurit janë nisur drejt spitalit të Traumës, ndërsa mësohet se janë në gjendje kritike për jetën. Mësohet se autorët kanë tentuar të grabisin banesën, por për ta plani nuk ka ecur siç duhet, duke bërë që të përdoren armët.

E gjithë ngjarja është parë nga vajza e çiftit e cila fatmirësisht nuk ka pësuar gjë dhe po merret në pyetje, ndërsa njëri prej dy grabitësve ka qëlluar pasi është pikasur nga njëri prej bashkëshortëve. Çifti ka edhe një djalë, por nuk gjendej në shtëpi.