Chicago, protestë kundër rritjes së incidenteve të dhunshme

Protestuesit reaguan edhe kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe politikave të tij

Në qytetin e Chicagos në SHBA u organizua protestë dhe marsh për shkak të rritjes së incidenteve të dhunshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, që synuan të tërheqnin vëmendjen për rastet e dhunës që vazhdojnë të rriten prej vitesh në pjesën jugore të qytetit, bllokuan pjesërisht trafikun në rrugën në bregun e liqenit Michigan me tetë korsi në rajonin verior i cili relativisht konsiderohet më i sigurtë.

Gjatë marshimit, protestuesit shkruanin në rrugë me shkumës mesazhin “fund dhunës”.

Në protestë morën pjesë afërsisht 1.000 persona.

Ndërkohë, kryebashkiakut të Chicagos, Rahm Emanuel, iu bë thirrje për dorëheqje, pasi është akuzuar për joefikasitet në luftën kundër dhunës në rritje.

“Jeta e zezakëve ka rëndësi”, “Rahm Emanuel duhe të shkojë” dhe “Nëse nuk ka drejtësi, nuk ka paqe” ishin disa nga sloganet e protestuesve.

Protestuesit reaguan edhe kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe politikave të tij.

“Trump dhe Pence duhet të shkojnë”, “Duam drejtësi”, “Polici, mos na vrit më”, shkruante në pankartat e hapura nga protestuesit.

Ndryshe, protestë kundër dhunës ishte organizuar edhe muajin e kaluar në këtë qytet, kur protestuesit mbyllën trafikun në autostradën Dan Ryan, ndërsa një numër i madh personash u arrestuan gjatë inidenteve. Bashkia e Chicagos kishte njoftuar kostoja e protestës së muajit të kaluar kishte arritur në 323 mijë dollarë/topchannel