Çavuşoğlu: YPG/PKK liroi militantët e DEASH-it për të sulmuar Turqinë

“Shikoni vendet, veçanërisht Francën, që po reagojnë (kundër operacionit turk), qëllimi i tyre është të krijojnë një shtet terrori atje”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka bërë të ditur se grupi terrorist YPG/PKK ka liruar terroristët e DEASH-it në veri të Sirisë për të sulmuar Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

“PYD/YPG nuk ka hezituar të arrijë marrëveshje të drejtpërdrejtë me DEASH-in. Si rezultat i marrëveshjes në Raqqa, qindra militantë të DEASH-it janë evakuuar lirshëm me autobusë”, tha Çavuşoğlu para ligjvënësve në parlamentin turk.

Sipas kryediplomatit turk, jo vetëm që i kanë liruar terroristët e DEASH-it në veri të Sirisë në këmbim për të sulmuar Turqinë, por po ashtu u kanë dhënë atyre edhe para.

“Shikoni vendet, veçanërisht Francën, që po reagojnë (kundër operacionit turk), qëllimi i tyre është të krijojnë një shtet terrori atje”, tha Çavuşoğlu.

Të shtunën, Gjermania dhe Franca njoftuan ndalesën e eksportit të armëve në Turqi, duke cituar operacionin “Burimi i Paqes”.

Çavuşoğlu tha se çdo kërcënim ose sanksion, “kurdo që të vijë” nuk do të pranohet nga Turqia.

“Ata nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e Turqisë”, theksoi kryediplomati turk.

Më herët, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ai ka diskutuar për të ardhmen e të burgosurve anëtarë të DEASH-it të mbajtur nga YPG/PKK-ja përmes telefonit me homologun e tij amerikan, Donald Trump. Erdoğan theksoi se në bisedën telefonike ka thënë se Turqia mund të marrë përgjegjësitë për ata por YPG/PKK-ja menjëherë i liroi të burgosurit DEASH.

Presidenti turk po ashtu tha se Turqia mund të marrë përgjegjësinë për terroristët e DEASH-it të burgosur në veri të Sirisë dhe se luftëtarët e huaj mund t’i kthejë në vendet e tyre.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar grupet terroriste atje, si dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja dëshiron të pastrojë Sirinë veriore në lindje të Eufratit nga terroristët e YPG/PKK-së.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. PYD/YPG është dega siriane e grupit terrorist PKK.