Çavuşoğlu: Shpresoj që administrata e Bidenit të kthehet në marrëveshjen bërthamore

"Shpresoj që administrata e Bidenit të kthehet në marrëveshjen bërthamore. Në këtë mënyrë do të hiqen embargot ndaj Iranit vëllazëror", tha ministri Çavuşoğlu

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se “Shpresoj që administrata e Bidenit të kthehet në marrëveshjen bërthamore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zarif: Bashkëpunimi Iran-Turqi në Kaukaz do jetë shumë i dobishëm për vendet e rajonit

Çavuşoğlu dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammed Javad Zarif​​​​​​​ zhvilluan një konferencë të përbashkët për media pas takimit dypalësh dhe ndërmjet delegacioneve në Zyrën e punës Dolmabahçe në Stamboll.

Çavuşoğlu tërhoqi vëmendjen se kanë diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe dhe se në këtë kuptim kanë biseduar se si do të zhvillohen takimet që nuk janë mundur të realizohen për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

Në fjalën e tij Çavuşoğlu theksoi se Turqia që nga fillimi ka mbështetur marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe se ka siguruar kontribut edhe para nënshkrimit të saj.

Duke rikujtuar se ish presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, Çavuşoğlu deklaroi: “Shpresoj që administrata e Bidenit të kthehet në marrëveshjen bërthamore. Në këtë mënyrë do të hiqen embargot ndaj Iranit vëllazëror”.

Më tej Çavuşoğlu nënvizoi se Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje ndaj Iranit në kuadër të kësaj.

Anëtarët e ekuipazhit të rrëmbyer në Gjirin e Guinesë

Lidhur me anëtarët e ekuipazhit të anijes turke që u rrëmbyen në Gjirin e Guinesë, ministri Çavuşoğlu tha: “Kemi mësuar se janë mirë. Së shpejti do të japim lajmet e mira”. Ai shtoi se nuk mund të japë informacione më të detajuara rreth procesit.

Ndër të tjera pasi njoftoi se ekipi i ri ka mbërritur dje në rajon, Çavuşoğlu ndau informacionin se edhe 3 pjesëtarë të ekuipazhit të anijes do të kthehen sot në Turqi me Turkish Airlines (THY).

Çavuşoğlu tha se me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan është formuar një grup pune ndërmjet institucioneve dhe se është dërguar në rajon.