Çavuşoğlu: SHBA ka vështirësi në tërheqjen nga Siria

"Vërejmë se SHBA ka vështirësi në tërheqjen nga Siria. Pasi ka punuar dhe ka qenë kaq e angazhuar nuk është e lehtë të tërhiqet nga organizata terroriste", tha Çavuşoğlu

 Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen nga Siria tha se “Vërejmë se SHBA ka vështirësi në tërheqjen nga Siria. Pasi ka punuar dhe ka qenë kaq e angazhuar nuk është e lehtë të tërhiqet nga organizata terroriste”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu ka informuar Komisionin e Jashtëm të Parlamentit të Turqisë rreth “zhvillimeve të fundit në politikën e jashtme turke”

Ai tha se në axhendën e politikës së jashtme ndjekin në të njëjtën kohë shumë çështje të rëndësishme por se një nga çështjet me prioritet është Siria. Çavuşoğlu thekson se është diskutuar se si do të koordinohet procesi pas vendimit të SHBA-ve për tërheqjen nga Siria.

“Ende vazhdojnë punimet për mënyrën se si do të koordinohet procesi me SHBA-të”, thotë Çavuşoğlu duke shtuar se këto çështje janë diskutuar në takimet e zhvilluara në Ankara me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, Shefin e Shtabit të SHBA-ve Joseph Dunford dhe James Jeffrey i emëruar në vend të Brett McGurk si përfaqësues special për koalicionin global.

“Vërejmë se ka vende që përpiqen që SHBA-të të heqin dorë nga ky vendim. Ka zëra të ndryshëm brenda SHBA-së. Ne jemi duke u përpjekur t’i konsolidojmë të gjitha këto. Ne po vlerësojmë gjerësisht këto çështje me bashkëbiseduesit tanë. Në ditët e fundit, ne kemi thënë tashmë në mënyrë të përsëritur se refuzojmë ashpër deklaratat ‘Mos vrisni kurdët’ të cilat kryesisht SHBA-të i paraqesin si asryetim”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se:

“Edhe Presidenti ynë dje në fjalimin e tij të grupit parlamentar të partisë dha një deklaratë shumë të qartë. Vërejmë se SHBA ka vështirësi në tërheqjen nga Siria. Pasi ka punuar dhe ka qenë kaq e angazhuar nuk është e lehtë të tërhiqet nga organizata terroriste. Kjo është një nga sfidat me të cilat përballet SHBA. Por, gjithashtu shohim zëra të ndryshëm që vijnë nga institucione të ndryshme brenda saj”.

Ministri Çavuşoğlu tha se Turqia krahas bashkëbiseduesve perëndimorë dëshiron të koordinojë këtë proces edhe me Rusinë dhe Iranin me të cilët punon së bashku në formatin e Astana-s. “Deri më sot nuk ka patur asnjë problem në zbatimin e marrëveshjes së Idlibit, edhe pas kësaj nuk dëshirojmë të ketë”, potencoi ai.

Në fjalën e tij lidhur me krizën e përjetuar në Jemen, Çavuşoğlu ka theksuar se “Zgjidhja e çështjes së Jemenit do të jetë ndër prioritet tona këtë vit”.