Çavuşoğlu: Kemi nisur të gjitha kontaktet e nevojshme për të rrëmbyerit në sulmin ndaj anijes

Ministri i Jashtëm turk njoftoi se ambasadorja e Turqisë në Libreville, Nilüfer Erdem Kaygısız, ka mbërritur në Port-Gentil me aeroplanin e parë këtë mëngjes dhe se ajo po e monitoron procesin nga afër

Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se anija e cila u sulmua nga banditë detarë pranë Nigerisë gjendet në ujërat territorialë të Gabonit dhe se kanë filluar kontaktet e nevojshme me të gjitha vendet për të shpëtuar qytetarët e rrëmbyer turq, transmeton Anadolu Agency (AA)

Duke folur në një transmetim të drejtpërdrejtë në NTV, Çavuşoğlu ndau informacionet e fundit në lidhje me anijen e mallrave me flamur liberian “Mozart” dhe ekuipazhin e saj, e cila u sulmua në ujërat jashtë Lagosit në Nigeri.

Ai deklaroi se anija është e një pronari të huaj dhe me flamur të huaj, por ekuipazhi është siguruar nga një kompani turke.

“Me fjalë të tjera, anija nuk i përket kompanisë turke. 19 pjesëtarë të ekuipazhit në të ishin turq, një prej tyre azerbajxhanas. Fatkeqësisht, vëllai ynë azerbajxhanas ndërroi jetë”, tha shefi i diplomacisë turke.

Çavuşoğlu rikujtoi se dje për këtë zhvillim ka folur me homologun i tij nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov.

“Ministritë dhe njësitë konsullore të dy vendeve po punojnë për marrjen e kufomës dhe dërgimin e saj në Azerbajxhan përmes Turqisë”, theksoi ai.

Çavuşoğlu deklaroi se anija është në ujërat territorialë të Gabonit dhe po pret të ankorohet në Port Gentil dhe se nga Gaboni është kërkuar personel teknik.

“Sapo anija të ankorohet, ne do ta marrim kufomën tonë dhe do të kryejmë veprimet e nevojshme atje”, shtoi ministri turk.

Ai njoftoi se ambasadorja e Turqisë në Libreville, Nilüfer Erdem Kaygısız, ka mbërritur në Port-Gentil me aeroplanin e parë këtë mëngjes dhe se ajo po e monitoron procesin nga afër.

“Nga ana tjetër, i kemi filluar kontaktet e nevojshme me të gjitha vendet për lirimin e qytetarëve tanë që u rrëmbyen”, deklaroi Çavuşoğlu.

“Këta banditë dhe piratë që rrëmbyen qytetarët tanë nuk janë përgjigjur ende. Ata edhe më parë kanë sulmuar anijet tona dhe anijet e vendeve të tjera. Ata telefonojnë dhe përcjellin kërkesat e tyre pas një kohe të caktuar”, shtoi ai.

Ndryshe, anija e mallrave “Mozart” dje u sulmua nga piratë në një pikë rreth 180 milje larg qytetit Lagos të Nigerisë. Ata morën peng 15 nga 19 anëtarë të ekuipazhit turk dhe u larguan nga anija, ndërsa gjatë zhvillimeve vranë një pjesëtarë të personelit, shtetas i Azerbajxhanit. Me tre pjesëtarë të ngelur, anija filloi të lëvizë drejt portit të qytetit Port-Gentil të Gabonit.