Çavuşoğlu: Hapat e ndërsjellë drejt një “atmosfere pozitive” BE-Turqi

"Me disa hapa të ndërsjellë të ndërmarrë kohëve të fundit, ne po përpiqemi të krijojmë një atmosferë më pozitive", tha Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) dhe Turqia po përpiqen të krijojnë një “atmosferë pozitive” mes tensioneve të fundit me disa anëtarë të bllokut evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me disa hapa të ndërsjellë të ndërmarrë kohëve të fundit, ne po përpiqemi të krijojmë një atmosferë më pozitive”, tha Çavuşoğlu në adresimin e tij para stafit të Agjencisë Turke të Akreditimit (TURKAK).

Duke kujtuar bisedimet e fundit nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, me kreun e Këshillit Evropian, Charles Michel, kancelaren gjermane, Angela Merkel, shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe kryediplomatët e vendeve të tjera anëtare të BE-së, Çavuşoğlu tha se,”Ne po punojmë për një hartë të rrugës për të ardhmen”.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe anëtarit të BE-së, Greqisë, janë në mosmarrëvesje për shkak të disa çështjeve.

Turqia, e cila ka vijën më të gjatë bregdetare kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe Qipros Greke, si dhe ka theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Muajve të fundit, Ankara ka dërguar disa anije të shpimit për të eksploruar burime të energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Qipros Turke.

Liderët turk në vazhdimësi kanë theksuar se Ankara është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.