Çavuşoğlu: Censura e Francës për karikaturën e ministrit është hipokrizi

Kryediplomati turk, Çavuşoğlu thotë se të gjitha llojet e diskriminimit dhe racizmit janë krime kundër njerëzimit.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu sot deklaroi se censurimi i Francës të karikaturës së ministrit të saj të Arsimit, Jean-Michel Blanquer është një shembull i “hipokrizisë” dhe “standardit të dyfishtë”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një shembull i mirë i hipokrizisë dhe standardit të dyfishtë”, tha Çavuşoğlu në një konferencë për media pas takimit jozyrtar të ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që po mbahet në Antalya.

Çavuşoğlu tha se Evropa filloi të shfaqte “këtë standard të dyfishtë” hapur me pretekstin e solidaritetit brenda Bashkimit Evropian ose mbështetjen e vendeve anëtare.

Ai tha se derisa sulmet ndaj vlerave më hyjnore shihen si liri e fjalës, kritikat e vogla kundër tyre llogariten si një sulm nga këto vende.

“Ne jemi kundër të gjitha llojeve të diskriminimit dhe racizmit. Ne i shohim të gjitha këto si krime kundër njerëzimit”, theksoi Çavuşoğlu.

Muajin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi Islamin si “një fe në krizë” dhe njoftoi planet për ligje më të ashpra për të trajtuar “separatizmin islam” në Francë.

Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi mësuesi i shkollës së mesme, Samuel Patty, i cili tregoi karikaturat blasfemuese të Profetit Muhamed në klasë, u vra më 16 tetor.

Karikaturat fyese nga Charlie Hebdo gjithashtu u shfaqën në ndërtesa në disa qytete franceze.

Macron mbrojti karikaturat duke thënë se Franca “nuk do të heq dorë nga karikaturat”, duke shkaktuar zemërim në të gjithë botën muslimane.