Category Autoriale

Dialogu, mënyra më efikase e komunikimit, në politikë, në fe dhe në jetën tonë të përditshme!

Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet vetëm nëpërmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin tonë sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun ndërsa romakët na falën aftësinë e të folurit. Të parët hynë në histori me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës). Sokrati jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është hominem quero, thoshte ai. Të jesh njeri, donë të thotë të bisedosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet por qenie që bisedon.