Cakaj: Raporti i ODIHR cilëson vandaliste sjelljen institucionale të PD-LSI

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj thotë se raporti i OSBE/ODIHR e konsideron vandaliste sjelljen institucionale të PD-LSI për bojkotimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, dhe të dhunshme në raport me godinën e Kryeministrisë.

Në një deklaratë për mediat nga godina e Ministrisë së Jashtme, Cakaj e lexon raportin e ODIHR për zgjedhjet si një dokument që ka njohur ndërkombëtarisht 30 Qershorin, ndërsa akuzon opozitën se po e keqpërdor për interesa politike.

“Zgjedhjet e 30 Qershorit kanë qenë edhe vendosje e një shembylli të pakthyeshëm historik duke dëshmuar se qëndrueshmëria e institucioneve është me e lartë se shuma e interesave partiake dhe tejkalon sjelljen e dhunshme dhe anti-institucionale. Raporti i fundit e cilësoin sjelljen e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në raport me godinën e Kryeministrisë si të dhunshme dhe sjelljen e tyre institucionale në përgjithësi si vandaliste.

Procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht. Gjatë gjithë këtyre ditëve ka ekzistuar përpjekja për të keqpërdorur referenca të ndryshme ndërkombëtare. Deri në këtë pikë, opozita, kryesisht PD dhe LSI, kanë qenë të angazhuara në keqinformim të faktorëve ndërkombëtarë për zhvillimet e brendshme. Në procesin zgjedhor ka pasur probleme. Ky raport është më shumë kritik për opozitën”, deklaroi Gent Cakaj.

Sa i përket gjetjes së raportit të OSBE/ODIHR se qytetarët nuk kishin alternativa dhe mundësi zgjedhje, ministri i Jashtëm theksoi se kjo është shkaktuar nga bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës. Kurse për numrin e pjesëmarrësve në zgjedhjet e 30 Qershorit, Gent Cakaj u shpreh se kjo shifër sidoqoftë është më e lartë se “gjysma e gjysmës së pjesëmarrësve në zgjedhjet e vitit 2015”, që ka qenë 48%.

“Vetë raporti sqaron se në Shqipëri zgjedhjet janë zhviluar pa mundësi kuptimplotë të zgjedhjeve midis kandidatëve të ndryshëm politik. Kjo vjen nga bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita. Por kjo nuk do të thotë se zgjedhjet kanë qenë jo legjitime. Raporti qartëson se kuadri ligjor në Shqipëri mundëson pluralizmin. Raporti po ashtu konstaton se klima gjatë fushatës në nivel social-politik ka qenë tepër e polarizuar dhe nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme programeve elektorale. Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor në elektoratin në shkallë të lartë për mospjesëmarrje në zgjedhje dhe kjo tregton se klima e zgjedhjeve ka qenë e ndikuar negativisht për shkak të një sjellje të caktuar politike të cilën në Shqipëri ne nuk e dëshirojmë. Numri i pjesëmarrësve është prapë më i lartë se gjysma e gjysmës së pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore të vitit 2015”.