Burimet: Biden ka miratuar dërgimin e ushtarëve në vendet e NATO-s në Evropën Lindore

Presidenti amerikan Joe Biden ka miratuar zyrtarisht dërgimin e rreth 3.000 trupave në vendet e NATO-s në Evropën Lindore, kanë thënë disa burime të afërta me këtë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për shtypin amerikan, burimet kanë vënë në dukje se Biden ndërmori një hap të ri kundër mundësisë së invazionit rus në Ukrainë.

Duke thënë se Biden ka miratuar zyrtarisht dërgimin e trupave amerikane në vendet e NATO-s në Evropën Lindore, burimet kanë deklaruar se vendimi do të shpallet zyrtarisht nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) në orët në vijim.

Është raportuar se rreth dy mijë ushtarë amerikanë do të dërgohen në Poloni dhe rreth një mijë ushtarë në vendet e Evropës Juglindore, përfshirë Rumaninë.

Biden më 28 janar tha se së shpejti do të dërgonte trupa në vendet e NATO-s në Evropën Lindore.

Në një deklaratë më 24 janar, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby, theksoi se 8.500 ushtarë janë në gatishmëri për të ofruar mbështetje në rast se Forca e Reagimit e NATO-s aktivizohet kundër situatave të papritura në krizën në Ukrainë.