Bujar Osmani: Presim që Maqedonia e Veriut në qershor të fillojë bisedimet me BE-në

Zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani tha se vendi po hyn në 20 ditët e fundit para publikimit të Raportit të sivjemë të Komisionit Evropian

Në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane në Shkup është mbajtur panel-diskutim në temë “Ballkani Perëndimor dhe vlerat euroatlantike” në kuadër të shënimit të ditëve evropiane në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Para fillimit të panelit, u organizua konferencë për media në të cilën mori pjesë zv/kryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe disa nga pjesëmarrësit në panel-diskutim.

Zv/kryeministri Osmani tha se vendi po hyn në 20 ditët e fundit para publikimit të Raportit të sivjemë të Komisionit Evropian, nga i cili tha se pret që të merret vendim që Maqedonia e Veriut në qershor të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian (BE).

Osmani shprehu kënaqësinë për mënyrën e realizimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën, duke shtuar se tani i gjithë fokusi mund të përqendrohet në procesin integrues.

“Tani, duke hyrë në një siguri dhe parashikueshmëri politike, mund ta përqendrojmë tërë energjinë shoqërore, shtetërore dhe politike që këto 20 ditë të mos lëmë asnjë argument, apo të mos lëmë ‘asnjë gurë të palëvizur’ që fillimisht të marrim rekomandimin më të pastër”, tha Osmani.

Dushan Janiç nga Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, tha se Maqedonia e Veriut mund të jetë shembull në rajon për shmangien e konfrontimeve prej të cilave më pas nuk mund të gjejë rrugëdalje, si dhe bashkëpunimi në procesin e mundimshëm politik për arritjen e vendimit.

“Kur e shihni atë rrjedhën afatgjate, më e lehtë është kur nuk jetoni aty por e shikoni nga jashtë procesin e gjatë politik, ajo që është karakteristike se përpos disa incidenteve, Maqedonia (e Veriut) asnjëherë nuk ka hyrë në krizë të thellë të sigurisë nga e cila nuk do të mund të dilte, dhe kjo është gjë e mirë”, tha Janiç.

Monika Begoviç nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Kroaci, tha se zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe vizita e Papa Françeskut në Shkup “janë edhe një hap drejt evropianizimit” të Maqedonisë së Veriut. Ajo gjithashtu foli edhe për vlerat evropiane, për të cilat tha se janë shumë të rëndësishme.

“Zbatimi i vlerave euroatlantike nga strukturat shtetërore nënkupton mirëqenie për vetë qytetarët. Ajo është respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, etj. Dhe, këto janë të gjitha vlera të cilat qytetarët i ndjejnë se po ndodhin brenda vendit”, tha Begoviç.

Në panel-diskutimin e organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politike, përveç përfaqësuesve nga Kroacia dhe Serbia, morën pjesë edhe përfaqësues të vendeve tjera nga Ballkani Perëndimor.

Kjo ngjarje u organizua një ditë para shënimit të 9 Majit – Dita e Evropës, që shënohet në përkujtim të deklaratës së 9 majit të vitit 1950 nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, e cila i vuri themelet e BE-së së sotme.