Bruksel, një zyrtare e Kosovës kapet duke vjedhur

Një zyrtare e Ministrisë së Arsimit në Kosovë është kapur duke vjedhur në një qendër tregtare në Bruksel.
Një zyrtare e Ministrisë së Arsimit në Kosovë është kapur duke vjedhur në një qendër tregtare në Bruksel.
Si rrjedhojë, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, jo vetëm ka konfirmuar lajmin, por ka bërë me dije edhe pezullimin e saj nga detyra.

Zyrtarja e ministrisë është Igballe Cakaj, udhëheqëse e sektorit të trajnimeve në Ministrinë e Arsimit.

Ministri u ka thënë mediave se me të marrë vesh për rastin, e ka pezulluar këtë zyrtare dhe po presin informacione shtesë. Sipas procedurave, do të jetë Komisioni Disiplinor që do të ndërmarrë masat e mëtejshme.

Igballe Cakaj ka hyrë në një qendër tregtare për të blerë rroba, një pjesë të së cilave i kishte paguar, por pjesën tjetër dyshohet se e kishte fshehur në çantë.

Gjatë asaj kohe, Cakaj ishte vëzhguar nga sigurimi i dyqanit dhe gjithçka është kapur nga kamerat e sigurisë.

Sigurimi ka pritur deri sa zyrtarja kosovare provoi të dalë nga dyqani me rrobat e vjedhura dhe e kanë ndaluar duke ia marrë ato.

Cakaj ishte pjesë e një delegacioni, i cili kishte nisur të shqetësohej pasi zyrtarja nuk ishte shfaqur për një kohë të gjatë, pasi sigurimi i dyqanit kishte lajmëruar policinë dhe zonja në fjalë kishte përfunduar në rajon.