Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe pretendon se shërbimet e inteligjencës ushtarake ruse (GRU) qëndrojnë pas një seri sulmesh kibernetike ndaj disa vendeve perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se GRU është e lidhur me disa grupe që kryejnë sulme kibernetike në disa vende perëndimore, përfshirë edhe Britaninë.
Ministria ka mbrojtur idenë se sipas gjetjeve të Qendrës Kombëtare Britanike për Sigurinë Kibernetike (NCSC) grupet që kryejnë sulmet kibernetike janë të lidhura me GRU.
“Këto sulme kanë shkelur hapur ligjin ndërkombëtar ndërsa janë ndikuar qytetarët e shumë vendeve”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se nga sulmet janë ndikuar edhe disa kompani ruse.
Është përcaktuar se shërbimet e inteligjencës ruse drejtojnë grupet e hakerëve si “Fancy Bear”, “Voodoo Bear”, “APT28”, “Sofacy”, “Pawnstorm”, “Sednit”, “CyberCaliphate”, “Cyber Berku”, “BlackEnergy Actors”, “STRONTIUM”, “Tsar Team” dhe “Sandworm”, ka njoftuar ministria britanike duke akuzuar GRU se “në fshehtësi ka minuar ligjin ndërkombëtar dhe institucionet ndërkombëtare”.
Po ashtu ministria ka theksuar se GRU qëndron edhe pas konfiskimit të postave elektronike të një kanali televiziv britanik në 2015-2017, hakimit të kompjuterëve të Kongresit Kombëtar Demokratik të SHBA-ve si dhe në vjedhjen e regjistrave të fshehta mjekësore të Agjencisë Botërore të Antidopingut (WADA).
Britania edhe më parë ka akuzuar inteligjencën ushtarake ruse (GRU) duke e bërë përgjegjëse për helmimin e agjentit të dyfishtë Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia. Për këtë rast policia britanike publikoi fotografitë e dy shtetasve rusë Ruslan Borishov dhe Aleksandr Petrov si të autorë të sulmit Skripal.