Brazili mposht Serbinë, Zvicra barazim me shije kualifikime ndaj Costa Rikës

Brazili “shtyp” Serbinë, Zvicra kualifikohet me barazim

Brazili ka kaluar pa shumë vështirësi Serbinë duke përfunduar fazën e grupeve në vend të parë. skuadra e Tite-s ka triumfuar me rezultatin 2-0 dhe tani do të ndeshet me Meksikën në 1/8-at. Tite nuk kishte bërë asnjë ndryshim nga ndeshja e fundit, por detyrohet të bëjë zëvendësimin e parë që në fillim të ndeshjes pas dëmtimit të Marcelo.

Akoma nuk dihet se sa i rëndë është dëmtimi i mbrojtësit të Real Madrid, por nëse nuk do të kthehej më do të ishte një goditje e rëndë për brazilianët.

Gjithsesi ishte Paulinho ai që zhbllokoi rezultatin me një gol të bukur që erdhi nga një pasim po aq i bukur i Coutinho-s. Pas pushimit ishin serbët ata që ushtruan presion por Thiago Silva vrau ndeshjen me goditjen e tij me kokë pas goditjes së këndit.

Zvicra dhe Kosta Rika u ndanë në barazim 2-2 në ndeshjen e fundit të grupit E, duke plotësuar secila skuadër objektivin që kishte përpara kësaj ndeshjeje.

Zviceranët kaluan në fazën me eliminim direkt të Botërorit, ndërsa kostarikanët arritën që jo vetëm të shënonin në këtë kompeticion, por edhe të merrnin pikën e parë në grup pas dy humbjesh radhazi.

Dzemaili dhe Drmic shënuan golat për Zvicrën, ndërsa Waston dhe Ruiz (në minutat e fundit të ndeshjes me penallti), shënuan për Kosta Rikën.

Zvicra do të ndeshet me Suedinë në 1/8 e finaleve të “Rusi 2018”.