Bosnjë e Hercegovinë, ndalohet kreu i shkollës së drejtuar nga FETO

Keskin u ndalua në stacion dhe pastaj u transferua në një qendër emigracioni për procedurat e deportimit, me sa duket në Turqi

Në Bosnjë e Hercegovinë është ndaluar kreu i një shkolle të mesme të drejtuar nga organizata terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale raportojnë se Fatih Keskin, një shtetas turk që banon në Bosnjë e Hercegovinë, u thirr në stacionin policor nga Policia e Kantonit Una-Sana për të dhënë dëshmi.

Më vonë, Keskin u ndalua në stacion dhe pastaj u transferua në një qendër emigracioni për procedurat e deportimit, me sa duket në Turqi.

Përderisa ende nuk ka ndonjë prononcim zyrtar nga policia lokale, avokati Nedim Ademoviç konfirmoi ndalimin e Keskin-it.

Ademoviç tha se Keskin jeton në Bosnjë e Hercegovinë me familjen e tij për më shumë se 20 vite.

Shkolla e mesme në qytetin Bihaç operonte me emrin Kolegji Una-Sana dhe më vonë u emërua Richmond Park – Kolegji Bihaç.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016, i cili la të martirizuar 251 persona dhe rreth 2.200 të plagosur.

Turqia po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë të rrëzimit të shtetit përmes infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht të ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit.

FETO po ashtu ka një prani të konsiderueshme jashtë Turqisë, përfshirë institucione arsimore private që shërbejnë si një rrjedhë e të ardhurave për grupin terrorist.

Që nga përpjekja e mposhtur e grusht shtetit, Turqia ka bërë presion ndaj vendeve evropiane për ekstradimin e të dyshuarve të FETO-s, si dhe ka shprehur zhgënjim për mungesën e bashkëpunimit nga shumë vende.