Borchardt: Puna e Policisë në zgjedhjet e 2017, e lavdërueshme

“Në zgjedhjet e 2017 puna e Policisë së Shtetit ishte e kënaqshme”, deklaroi sot ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt duke  vlerësuar rolin e policisë në zgjedhjet e 2017.

“Në zgjedhjet e 2017 puna e Policisë së Shtetit ishte e kënaqshme”, deklaroi sot ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt duke  vlerësuar rolin e policisë në zgjedhjet e 2017.

Ambasadori ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar sot në Akademinë e Sigurisë ku filloi procesi i trajnimeve për punonjësit e policisë “Mbi detyrat dhe rolin e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor në datën 30 qershor 2019”.

Borchardt theksoi se puna e efektivëve gjatë procesit zgjedhor të 2017 ishte e kënaqshme.

“Isha këtu pikërisht dy vjet më parë dhe ju fola në atë kohë sa u përket zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, duke e nxitur Policinë e Shtetit që ta kryente detyrën e vet me përkushtim për garantimin e zgjedhjeve të rregullta dhe të organizuara në përputhje me dispozitat ligjore. Kryet një punë të mirë në vitin 2017 dhe sjellja juaj profesionale gjatë atij ciklit zgjedhor ishte e lavdërueshme”, tha ai.

Gjithashtu, ambasadori theksoi se “keni shënuar shumë progres që nga viti 2007, pra, që nga zgjedhjet vendore të 12 viteve më parë, të cilat përbëjnë një pikë referimi sa i përket sjelljes profesionale të policisë në zgjedhje. Që nga ajo kohë, të gjitha raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve kanë vënë në dukje rolin pozitiv të policisë gjatë gjithë procesit zgjedhor, rol të cilin presim që të vazhdoni ta luani”, shkruan ATA.

Ai tha më tej se “të gjithë jemi të vetëdijshëm për klimën politike të krijuar në vend vetëm tre muaj para datës së zgjedhjeve. Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë është thelbësor për garantimin e besimit publik në procesin zgjedhor duke luftuar të gjitha llojet e shkeljeve zgjedhore nga ana e individëve apo partive politike”.

“Debatet politike mund të shkaktojnë uljen e besimit publik në procesin themelor demokratik të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mirëpo, unë jam i sigurt se sjellja profesionale e institucioneve publike, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit, mund ta kompensojë këtë duke shtuar besimin te njerëzit se vota e tyre vlen vërtet dhe se rezultatet përfundimtare pasqyrojnë vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë, të mbarë shoqërisë shqiptare”, u shpreh ambasadori.

Ai u shpreh i sigurt se Policia e Shtetit do të jetë asnjanëse në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe do të veprojë me profesionalizëm dhe dinjitet.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, deklaroi ambasadori, do të vijojë të jetë një partnere strategjike e saj jo vetëm për këtë trajnim të policisë për zgjedhjet, por edhe në dhënien e ndihmës teknike dhe mbështetjes, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kërcënimeve transnacionale.