Biden për president, e treta “e vërteta” vjen pas vdekjes së të birit

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur kandidaturën e tij për Presidencialet e radhës në SHBA, duke i dhënë fund muajve spekulime.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur kandidaturën e tij për Presidencialet e radhës në SHBA, duke i dhënë fund muajve spekulime, shkruan Top Channel.

Në një video, Biden paralajmëroi se janë në lojë vlerat themelore të vendit, demokracisë dhe gjithçkaje që e ka bërë Amerikën të jetë Amerikë.

76-vjeçari hyn kështu në një garë të gjerë për nominimin demokrat. Ai është përballë 19 garuesve të tjerë, mes të cilëve senatoret Elizabeth Warren e Kamala Harris, si dhe senatorit Bernie Sanders.

Në njoftimin e tij, Biden përmendi reagimin e shumëkritikuar të Trumpit ndaj protestave nacionaliste vdekjeprurëse të Charlottesville në vitin 2017, duke thënë se Shtetet e Bashkuara ishin në një betejë për shpirtin e këtij kombi.

“Unë besoj se historia do të kthejë sytë nga 4 vitet e këtij presidenti dhe gjithçka që ai përfaqëson, duke i parë si një moment të zymtë. Por, nëse ne i japim Donald Trumpit 8 vite në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë karakterin e këtij kombi. Unë nuk mund të qëndroj pa bërë gjë, ndërsa kjo ndodh”, tha Biden.

Biden është kandidati demokrat me më shumë eksperiencë në garë. Një senator prej 6 mandatesh, ai ka shërbyer si zëvendës i Barack Obamës në dy mandate, e ka garuar për president edhe dy herë të tjera në vitet 1988 dhe 2008, por pa sukses.

Ai pritej të kandidonte edhe në vitin 2016, por vendosi të distancohej, pas vdekjes së të birit 46-vjeçar për shkak të një tumori në tru.