BERZH: Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor i duhen 40- 200 vite për të arritur standardet e jetesës evropiane

Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’i duhet nga 40 deri në 200 vite për të arritur standardet e jetesës së vendeve të Bashkimit Evropian. Këtë përfundim e ka nxjerrë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin për Tranzicionin e Ballkanit Perëndimor, pas studimit të gjashtë vendeve: Serbi, Mali i Zi, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në raport janë vëzhguar tre skenarë:

– Skenari optimist, që bazohet në nivelin e rritjes ekonomike të viteve të parakrizës, parashikon se vendet e BP-së mund të arrijnë standardet mesatare të jetesës së vendeve të BE-së brenda 40 viteve.

– Skenari tjetër që përdor rritjen ekonomike mesatare të viteve 2001-2006, parashikon se vendeve të BP-së i duhet dhe 60 vite për të arritur standardet mesatare të jetesës së vendeve të BE-së.

– Ndërkohë që skenari i tretë që përdor nivelin e rritjes mesatare ekonomike në vitet e paskrizës, parashikon që gjashtë shtetet e BP duan dhe 200 vite për të arritur standardet mesatare të jetesës së BE-së.

Aktulisht të ardhurat mesatare për person të vendeve të BP-së janë sa gjysma e mesatares në 11 vendet e Evropës Lindore dhe sa një e katërta e mesatares së vendeve të Evropës Perëndimore.

BERZH thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohen nga mungesa e konkurrueshmërisë në ekonomi. Të gjashtë ekonomitë e BP vlerësohen gjithnjë dobët në raportet e Forumit Botëror të Ekonomisë dhe të Bankës Botërore lidhur me klimën e të bërit biznes apo zhvillimin ekonomik.

Problemet e klimës së të bërit biznes janë të vazhdueshme dhe pavarësisht reformave që qeveritë nisin, nuk është parë ende zhvillim i dukshëm. Po ashtu, prania e korrupsionit, forca punëtore jo e kualifikuar, mungesa e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe mungesa e investimeve të huaja janë të tjerë faktorë që ndikojnë në mbetjen prapa të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

/exit.al/