Berisha përshëndet deklaratat e kancelarit Scholz: Vuçiç sot, faktor kryesor konfliktualiteti në rajon, luajti rolin e të paditurit dhe hipokritit

Kreu i PD-së Sali Berisha ka reaguar sot për deklaratat e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Beograd dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Berisha shkruan se Scholz i kërkoi publikisht serbomadhit Vuçiç njohjen e Kosovës si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Sipas tij, Vuçiç luajti rolin e të paditurit dhe hipokritit de krahasoi ndërhyrjen çlirimtare të NATO-s në Kosovë me pushtimin barbar rus në Ukrainë.

Berisha shkruan se dënon “reagimet e serbomadhit Vuçiç i cili sot, me politikën që ndjek, është faktor kryesor konfliktualiteti në rajon”.

POSTIMI I PLOTË
Kërkesa që duhen përshëndetur!
Të dashur miq, vlejnë për t’u vlerësuar dhe përshëndetur kërkesat e bëra dje në Beograd nga kancelari gjerman Scholz, i cili i kërkoi publikisht serbomadhit Vuçiç njohjen e Kosovës si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Në konferencën e tij për shtyp Kancelari Scholz tha se “marrëveshja në fund duhet gjithashtu të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën, të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, u shpreh Scholz, duke shprehur kështu për herë të parë haptas qëndrimin e vendit të tij ndaj marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Ndërkohë Vuçiç luajti rolin e të paditurit dhe hipokritit, duke u shprehur se “ne e dëgjuam vetëm sot, për herë të parë, se po kërkohet njohja reciproke. Nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë këtë gjë nga Evropa.”
Me gjuhën dhe vendimet prej autokrati serbomadh të cilat e karakterizojnë, ngjashëm me Millosheviçin, Vuçiç theksoi “mos u mërzisni aspak që qëndrimi ynë ndaj Kosovës është krejt i ndryshëm nga juaji. Sikurse ju dëshironi integritetin territorial të Ukrainës, po ashtu edhe serbët duan integritetin territorial të Serbisë.”
Me këtë deklaratë presidenti i serbomadhisë Vuçiç krahasoi ndërhyrjen çlirimtare të NATO-s në Kosovë me pushtimin barbar rus në Ukrainë.
Por kancelari Scholz i bëri fare të qarta qëndrimet dhe kërkesat lidhur me çështjen e Kosovës, sigurinë e paqen në Rajon si edhe luftën në Ukrainë.
Në vizitat e tij në Prishtinë e Beograd, kancelari gjerman nuk la pa përmendur sanksionet ndaj Rusisë. Nga njëra anë ai përgëzoi Kosovën e cila, njësoj si shtetet perëndimore, i është bashkuar ndëshkimit ndaj Moskës. Nga ana tjetër, ai i kërkoi Beogradit të harmonizojë politikat e tij me BE-në, sikurse duhet të veprojë një shtet kandidat për Union.
“Në kohët që po jetojmë, vlera e paqes dhe sigurisë na është bërë më se e qartë sërish; një arsye më shumë dhe e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një zgjidhje politike dhe zgjidhje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme që kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.
Duke përshëndetur kërkesat e Kancelarit Scholz gjatë vizitës së tij në Beograd, dënoj gjithashtu reagimet e serbomadhit Vuçiç i cili sot, me politikën që ndjek, është faktor kryesor konfliktualiteti në rajon.