Berisha në protestë, thirrje për vetëpërmbajtje

Sali Berisha u nis nga shtëpia, rreth 30 minuta para fillimit të protestës së thirrur nga vetë ai.

Ish-kreu i PD-së bëri thirrje për vetëpërmbajtje, ndërsa deklaroi se protesta është një “lëvizje thellësisht paqësore”.

Sa i takon incidentit me Roland Bejkon, Berisha tha se nuk e kishte ndjekur, por ishte kundër incidenteve. Ai i ftoi protestuesit të ruanin gjakftohtësinë dhe të ngeleshin të vendosur për realizimin e qëllimeve.

Ai shtoi gjithashtu se nëse ndërhyn policia, kjo do të thotë se ndërhyn Edi Rama.

“Zoti Basha jeton në fantazinë e tij. S’ka asnjë autoritet për asnjë Kolegj dhe asnjë forum partie,” – u shpreh ish-kreu i PD-së, ndërsa theksonte vazhdimisht gjatë rrugës për në seli të cilën e bëri në këmbë se Basha është i shkarkuar.

Në momentet e fundit, ndërsa arrinte në selinë e PD-së, Berisha i bëri thirrje Bashës të hapë dyert sepse nuk mund të qëndrojë më pasi ka rezultuar katër herë humbës.

Pak minuta para se të dilte nga shtëpia e tij Berisha postoi në faqen e tij në Facebook.

“Sot demokratet dhe demokratët e Shqipërisë shndërrojnë bunkerin e Peng Bashës në shtëpinë e tyre të lirisë! Zoti i bekoftë!” shkroi ai.