Benjamin Netanyahu: Shkuarja në zgjedhje të reja “papërgjegjësi”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se rënia e qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte "papërgjegjësi"

 Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu thotë se rënia e qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte “papërgjegjësi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Netanyahu deklaratën e bëri sot, pak çaste para se ministri i tij i Arsimit, Naftali Bennett, të merrte vendimin nëse partia e tij do të vazhdojë apo jo të mbetet pjesë e koalicionit qeveritar.

Nëse Bennett largohet, kjo do të shkaktonte rënien e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Bennett është kërcënuar se do tërhiqet nga koalicioni në shenjë proteste kundër armëpushimit të arritur nga Netanyahu javën e kaluar me militantët e Hamasit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman dha dorëheqje në shenjë proteste.

Bennett ka kërkuar Ministrinë e Mbrojtjes si kusht për të mbetur në qeveri. Por, të dielën vonë Netanyahu tha se këtë post do marrë vet ai.

Netanyahu deklaroi se do të bëjë gjithçka që nevojitet për të mbrojtur vendin, pavarësisht nga vendimi i partnerëve të tij të koalicionit.