BE vitin e ardhshëm fillon bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë

Në këtë deklaratë theksohet se vazhdon vendosmëria rreth procesit të zgjerimit të BE-së dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar se është marrë vendim që bisedimet për anëtarësim të vendeve kandidate, Shqipërisë dhe Maqedonisë, të fillojnë në muajin qershor të vitit 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Luksemburg u zhvillua takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshem të BE-së, pas së cilës u publikua deklarata e përbashkët në të cilën u vlerësua gjendja e përparimit në procesin e anëtarësimit në BE për gjashtë vende, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë.

Në këtë deklaratë theksohet se vazhdon vendosmëria rreth procesit të zgjerimit të BE-së dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Më tej, po ashtu theksohet se Këshilli i BE-së është i kënaqur me progresin e arritur nga Maqedonia dhe Shqipëria.

“Këshilli mori një vendim që bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë të fillojnë në qershor të vitit 2019”, thotë deklarata.