BE shton shenjat e gishtërinjve në bazën e të dhënave të azilkërkuesve

"Europoli do të jetë në gjendje të hulumtojë bazën e të dhënave në mënyrë më efikase për të zbuluar për qëllime të parandalimit, terrorizmin dhe krimet tjera të rënda", thuhet në njoftim

 Bashkimi Evropian (BE) do të shtojë më shumë të dhëna në bazën e të dhënave të azilkërkuesve dhe migrantëve të paligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Parlamenti Evropian përmes një kumtese konfirmoi se bashkë me Këshillin e Evropës u pajtuan për të përforcuar sistemin EURODAC, i cili bën ruajtjen e të dhënave të aplikuesve të azilit dhe migrantëve të paligjshëm.

Siç bëhet e ditur, tashmë në bazën e të dhënave të aplikuesve të azilit dhe migrantëve të paligjshëm do të përfshihen shenjat e gishtërinjve, forografi të pasaportave dhe të dhëna tjera alfanumerike, përfshirë emrin, kombësinë dhe numrin e pasaportës.

Mosha për marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe pamjeve të fytyrës të personave të mitur, ulet nga mosha 14 vjeçare në moshën 6 vjeçare, ndërkohë që do të mund të përdoret edhe “masa proporcionale e shtrëngimit” për të marrë shenjat e gishtërinjve ose fotografitë nga pasaportat e fëmijëve.

“Me bazën e re të të dhënave, Europoli do të jetë në gjendje të hulumtojë bazën e të dhënave në mënyrë më efikase për të zbuluar për qëllime të parandalimit, terrorizmin dhe krimet tjera të rënda”, thuhet mes tjerash në njoftim.

“Standardet e dyfishta të BE-së”

Përfaqësues të disa OJQ-ve, identifikimin e migrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve e kanë cilësuar si “standard i dyfishtë i BE-së”.

Vitin e kaluar, Gjykata Evropiane e Drejtësisë, vendosi se Kanadaja nuk mund të ruajë të dhënat personale të vizitorëve që vijnë nga BE-ja.

Urdhëri i gjykatës tha se të dhënat personale dhe biometrike të vizitorëve nga BE-ja, do të duhet të fshihen pas largimit të tyre nga Kanadaja.