Ligjvënësit evropianë të enjten në mbrëmje arritën një marrëveshje për të hequr gradualisht shitjen e makinave dhe furgonëve të rinj me motor me djegie deri në vitin 2035.
Marrëveshja midis përfaqësuesve të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian është për të reduktuar emetimet neto të gazeve me të paktën 55% deri në vitin 2030.
Legjislacioni i ri planifikon një objektiv për reduktimin e emetimeve të CO2 prej 55% për makinat e reja dhe 50% për furgonët e rinj deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2021 dhe për një ulje prej 100% të emetimit të CO2 deri në vitin 2035, duke ndaluar në mënyrë efektive shitjen e makinave të reja me motor me djegie, shkruan Euronews.
“Me këto objektiva, ne krijojmë qartësi për industrinë e makinave dhe stimulojmë inovacionin dhe investimet për prodhuesit e makinave. Përveç kësaj, blerja dhe drejtimi i makinave me emetim zero do të bëhen më të lira për konsumatorët,” tha eurodeputeti holandez Jan Huitema, raportuesi i Parlamentit.