Nga Redi Shehu
Pak ditë më parë, pas vetëm dy vitesh, pamë numrin më të madh të deputetëve demokratë të mbledhur në një sallë të gjithë tok bashkë në një tryezë me motivin se si të koordinojnë punët për të luftuar Edi Ramën. Në dukje kjo do ishte gjëja më normale që mund të ndodhte vetëm pak vite më parë, por ama jo sot. Opinioni publik u mbars me idenë se tryezën e thirri Gazmend Bardhi, dhe si e tillë kjo u pasua me një rreshtim të verber të palëve të cilët në listën e fjalorit denigrues, kishin lënë vetëm pak gjëra pa i thënë njëri-tjetrit. Në fakt, tryeza u relizua jo sepse deshi z. Bardhi por sepse deshi z. Berisha, dhe kur ai do një gjë, ajo gjë me siguri që realizohet. Momenti i kërkesës së grupimit Bardhi rastisi të ishte në një linjë me atë të z. Berisha, ku të dy mendojnë të përfitojnë në maksimum nga kjo ngjarje. Berisha për të përdorur grupimin Bardhi si detergjent pastrues për njollat e veta politike, dhe pala tjetër, për të shtënë në dorë pak nga fuqia elektorale e ujkut të vjetër. Ajo që unë mendoj vërtet, ështe se takimin, në fakt, e bëri të mundur Lulzim Basha. Kjo duket paradoksale, por kthimi i tij donkishotesk, duket se nuk i la alternative më të mirë grupimit Bardhi. Papritmas Bardhi dhe Berisha e panë veten në një front kundra rrezikut te opozitës gjelatinoze të Bashës dhe gëlltitën çdo gjë që kishin thënë për të mos i dhënë dorën njëri-tjetrit plot optimizëm rithemelues.
Në fakt, është pak telash kur e mendon, se një seri deputetësh që vijnë nga listat e kryetarit dhe që nuk kanë parë realitetin në sytë e zgjedhësve, nuk kanë një ide apo projekt politik, si do ta menxhojnë ata të ardhmen e tyre. Rruga më e thjeshtë është rreshtimi diku, pavarësisht se ku, mjafton të kërkosh strehim politik diku në një “comfort zone” e cila të garanton riqarkullim politik në lista. Fatkeqsisht ky feomen konstatohet në të tre grupimet e PD-së, tek rithemelimi, tek Basha dhe tek grupimi Bardhi. Të paktë janë ata të cilët qëndrojnë në ballë të betejës dhe pozicionohen qartë që në fillim të luftës politike.
Për disa rikthimi i Bashës shihet si një akt shpresëdhënës politik. Unë personalisht mendoj se ky akt ishte jo vetëm vënia kapak e çdo shprese për qarkullimin e elitave të djathta konservatore ne Shqipëri, por edhe një vërtetim i tezës se Basha është berishisti më i madh pas Berishës. Mënyra se si dha “dorëheqjen”, kthimi i tij, si dhe i gjithë mekanizmi statutor që pasoi të rikujton foltoren e parë dy vitetve dhe nxitimin e Berishës për të marrë në dorë frenat e të djathtës. Jo vetëm kaq, por rikthimi i Bashës legjitimoi akoma më shumë ekzistencën e Berishës dhe rithemelimit duke e zgjatur agoninë kush e di se për sa kohë. Kështu, ndodhemi në një anije politike të së djathtës, ngecur në rërën bllokuese të dy personave si Berisha dhe Basha që nuk garantojnë aspak reformimi e së djathtës shqiptare. Sikur të mos mjaftonte kjo panoramë, në skenë del edhe Bardhi me grupimin e tij që nuk heziton me pasion të nxitojë e të thellojë akoma më shumë krizën duke lëgjitimuar rithemelimin si anjë herë tjetër.
Dukej se z. Bardhi dhe deputët që e pasonin, nuk kishin rrugë tjetër përtë mbijetuar pas kthimit të Bashës, ose të hapnin parti të re, ose të t’i bashkoheshin rithemelimit. Është e kuptueshme se qëllimi i Bardhit, duke spostuar një numër të madh deputetësh me vete, ishte t’i tregojë Berishës se ai ka fuqi të madhe parlamentare, madje edhe më të madhe se vete Berisha. Ndoshta, ku i dihet, në një të ardhme të afërt mundej që rithemelimi t’i ngelej Bardhit në dorë. Por ama, Bardhi këtu bën një gabim të madh nëse mendon një gjë të tillë. Berisha është makineria më e madhe dhe e sofistikuar e së djathtës e cila nëse ka një sukses të vetëm, është kapaciteti gëlltitës i kundërshtarit politik. Për këtë arsye, rreshtimi i grupimit Bardhi me kete pjese të PD-së është fillimi i fundit të tyre si grupim. Ajo që quhet bashkim është thjesht fillimi i proçesit të eleminimit të këtij grupimi drejt një rithemelimi akoma më të madh.
Gjëja më thelbesore lidhur me kete gjarje politike, është të shtruarit e disa pyetjeve. Është berë zakon tek ne që kapërcimi politk të mos njohë as edhe një parametër moral dhe etik. Në sytë e audiencës po instalohet kultura e mungesës së përgjegjësisë për aksione politike të pabazuara në një kod moral. Sot, z.Bardhi do të duhet të sqaroje nëse ai e njeh z. Berisha si kryetar te Partisë Demokratike pasi ka votuar për ta shkarkuar atë dhe pasi e ka akuzuar në çdo dalje publike ? Do të ishte më e ndershme ta pohonte një gjë të tillë se sa retorika e mosnjohjes. Nga njëra anë thuhet se nuk mund të anashkalohen 510 mije votues të rithemelimit, dhe nga ana tjetër nuk e njohim Berishën si kryetar Partie. Kjo është thjesht hipokrizi. Të paktën të bëjnë një punë të hajrit, ta çojnë Partinë Demokratike nga gjëndja e ndarjes në tre-katër pjesë, të mund ta reduktojnë në vetëm dy pjesë. Kjo do ishte, edhe pse ironike, përpjekja më reale për bashkim.,
Edhe pse antiberishistët e PD-së në mënyrë disfatiste pranuan berishizmin, duke bërë gjënë e vetme që kanë ditur të bëjnë gjithmonë, përsëri në të djathtën shqiptare nuk doli një lider i cili të jetë më i rëndësishëm se logoja. Kur një lider tejkalon logon ai nuk e ka problem të bëjë çfaredo lëvizjeje të re politike, sepse ai nuk kërkon strehim politik tek simboli ai është vetë thelbi i ideve dhe metodave politike që i japin jete logos. Edhe propozime të të tipit “njësi federative” brënda PD-së ku të bashkohen të gjitha pjesët e saj në një federatë politike, është ide e alienuar sepse vë në pikëpyetje identitetin politik dhe juridik të vetë PD-së. Si mund të luftohet dhe mundet Edi Rama me metoda federaliste, por edhe nëse do të ndodhte një mrekulli e tille, përsëri sfida e pushtetit do të ringjallte luftën e vjetër edhe më egërsisht se përpara. Partia Demokratike duhet të kalojë përmes proçesit të pastrimit të vetvetes me kostot politike që ky proçes ka. Kjo është një dhuratë që ia dhanë vetë drejtuesit e saj. Ndoshta dekadenca e saj e mbajtur nen trysnine e liderit per një kohë të gjatë e kërkon një proçes të tillë të dhimbshëm. Më shume se sa Edi Rama sfida është e ardhmja e të djathtës shqiptare. Gjithses, opozita e vetme tani per tani sa te kolaudohet e djathta, duket se ngelet SPAK.