Banka e Shqipërisë: Rritje ekonomike, zgjerim i punësimit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit për Lekun

Ekonomia shqiptare po ndjek trendin e rritjes pozitive dhe Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e konsumit, investimeve dhe eksporteve, do të mundësojë zgjerimin e mëtejshëm të punësimit, rritjen e pagave dhe të normave të fitimit, si dhe forcimin gradual të presioneve të brendshme inflacioniste.

Kështu u shpreh sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, ku deklaroi se, “politika monetare ka përmbushur objektivat e rritjes ekonomike. Në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi, të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit  për lekun, në nivelin 1.0%, shkruan ATA.

Stimuli ekonomik, tha Sejko u mbështet nga rritja e eksporteve shqiptare të mallrave në tremujorin e katërt të vitit, zgjerimi i kërkesës për kredi, ku kreditimi i sektorit privat u rrit me 6% dhe qëndrueshmëria që reflektoi këmbimit valutor vendas.