Bahtiri: Të hënën nis peticioni për bashkimin e qytetit të Mitrovicës

Bahtiri tha se qytetarët do të nënshkruajnë peticionin për anulimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës nga viti 2007 për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna, Jugore dhe Veriore

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri njoftoi se të hënën do të fillojë mbledhjen e peticionit nga qytetarët për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas tryezës së rrumbullakët me qytetarët lidhur me nismën për të filluar një peticion për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri tha se qytetarët do të nënshkruajnë peticionin për anulimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës nga viti 2007 për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna, Jugore dhe Veriore.

Mitrovica, që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999 është ndarë në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe, ndërsa procesi i decentralizimit të pushtetit në Kosovë, në bazë të pakos së Ahtisaarit të vitit 2007 Mitrovicën e ndanë në dy komuna.

“Sot së bashku me qytetarët sollëm vendimin që të hënën të fillojmë nënshkrimin e peticionit për anulimin e vendimit për ndarjen e Mitrovicës dhe bashkimin e saj që të jetë e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht kombësisë së tyre”, tha Bahtiri.

Duke komentuar mbi qëndrimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Kosovës se kërkesa e këshilltarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut për bashkimin e komunave veriore dhe jugore është i paligjshëm, Bahtiri deklaroi se ky është një vlerësim politik për shkak se në krye të kësaj ministrie është një ministër nga komuniteti serb.

Ai gjithashtu tha se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka gabim kur thotë se komunat nuk kanë të drejtë të marrin vendime të tilla, duke shtuar se komunat kanë të drejtë t’u drejtohen institucioneve të Kosovës me kërkesat e tyre.