Azerbajxhani dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

"Italia është partneri ynë parësor tregtar. Ne dërgojmë sasi të mëdha të naftës në Itali. Të gjitha dyert e Azerbajxhanit janë të hapura për kompanitë italiane", tha Aliyev

Presidenti italian, Sergio Mattarella, i cili ndodhet në Azerbajxhan në kuadër të takimeve zyrtare me presidentin e këtij vendi, İlham Aliyev, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në sferën e arsimit, transportit hekurudhor dhe në sektorin veterinar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët për media, Aliyev ka bërë të ditur se mes Azerbajzxhanit dhe Italisë ka marrëdhënie shumëdimensionale, të cilat pas kësaj do të zhvillohen edhe më tej.

Ai tha se Azerbajxhani dhe Italia janë partnerë strategjikë.

“Italia është partneri ynë parësor tregtar. Ne dërgojmë sasi të mëdha të naftës në Itali. Të gjitha dyert e Azerbajxhanit janë të hapura për kompanitë italiane. Azerbajxhani po zhvillohet me shpejtësi dhe ka nevojë për teknologji të reja. Natyrisht që ne duam t’i marrim këto teknologji nga vendet mike”, tha Aliyev.

Ndërkohë edhe Mattarella tha se shpreson që në Azerbajxhan të veprojnë edhe kompani të tjera italiane në sektorin e energjisë.

Mattarella shtoi se mund të bashkëpunojnë me Azerbajxhanin në industrinë e mbrojtjes dhe se teknologjitë e Italisë në këtë fushë mund të ofrojnë kontribut në ekonominë e Azerbajxhanit.

Aliyev dhe Mattarella më pas në Parkun e Industrisë Kimike ‘Sumgayıt’ bënë hapjen e fabrikës së polipropilenit, e cila u ndërtua nëpërmjet një kompanie italiane nga kompania shtetërore e naftës në Azerbajxhan (SOCAR).